Gjatë vitit 2024 janë lidhur 2615 kontrata/marrëveshjeve kuadër nga autoritetet publike, përmes sistemit të prokurimeve. Të dhënat e publikuara në raportin e Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë se numri më i madh i kontratave të nënshkruara është për mallra.
Kështu, nga totali i 2615 kontratave/MK të raportuara në periudhën Janar – Dhjetor 2024, rezulton se 1787 kontrata, ose afërsisht 68.33 % e kontratave të raportuara, janë të tipit Mall; 582 kontrata, ose afërsisht 22.26 % e kontratave të raportuara, janë të tipit Shërbim dhe 246 kontrata, ose afërsisht 9.41 % e kontratave janë të tipit Punë.


Nga analizimi i të dhënave të formularëve standardë të administruar në APP, gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2024, rezulton se janë raportuar problematika për 78 kontrata, gjatë zbatimit të tyre ose 2.98 % e kontratave të raportuara kanë patur problematika gjatë zbatimit të kontratës.
Konkretisht, për 28 kontrata, Autoriteti Kontraktor ka aplikuar penalitete ndaj kontraktorëve përkatës, për shkak të vonesave në zbatimin e kontratës.
Ndërsa për 10 kontrata, raportohet aplikim penalitetesh, por pa dhënë arsyet. Për 10 kontrata, raportohet mospërmbushje e detyrimeve kontraktuale, ku në 2 raste raportohet njëkohësisht edhe aplikimi i penaliteteve për vonesa në dorëzim për pjesën e zbatuar të kontratës. Problematika të tjera përfshijnë vonesat më dorëzim, pezullime punimesh, llogaritje gabim e ofertës, etj.
Për 4 kontrata raportohen problematika, pasi kontraktori edhe pse ka realizuar shërbimet, nuk ka paraqitur çdo muaj faturat e shërbimeve të dhëna, por ka paraqitur vetëm 1 faturë në përfundim të kontratës, si dhe raportohen probleme financiare.
Gjithashtu, nga shqyrtimi i të dhënave të raportuara nga AK mbi datën e shlyerjes së plotë të detyrimit financiar dhe parashikimin në kontratë për afatin e shlyerjes (për rastet kur këto të dhëna janë plotësuar nga AK), rezulton se në rreth 6.6 % të kontratave të raportuara ka patur vonesa në shlyerjen e detyrimeve financiare nga AK.
Për kontratat e lidhura gjatë vitit 2024, në total rezultojnë 132 modifikime të kryera.
Nga numri total i modifikimve të kryera gjatë vitit 2024, në 89 prej tyre ose afërsisht 67% të rasteve është modifikuar afati i kontratës; në 42 raste, ose afërsisht 31 % është modifikuar vlera e kontratave/MK, ku në 14 raste njëkohësisht edhe afati, në 1, ose afërsisht 0.75% rast janë modifikuar kushtet e pagesës së kontratës.
Sipas tipit të kontratës së modifikuar, rezulton se 67 modifikime janë për kontrata të tipit “Punë”, 32 modifikime janë për kontrata të tipit “Shërbim”, 33 modifikime janë për kontrata të tipit “Mall”. /ekofin.al
