Nevojat e Kosovës për energji elektrike kanë rritur ndjeshëm eksportet shqiptare në drejtim të “vllezërve tanë”. Referuar shifrave të INSTAT, për 3-mujorin e parë, eksportet në drejtim të Kosovës shënuan një rritje të fortë, me 79%, ndërkohë që rritja e eksporteve ndaj vendeve të tjera, tradicionalisht partnerë tregtarë të Shqipërisë është shumë më e vogël, respektivisht 8,6% Greqia dhe 5,5% Gjermania.
Në anën tjetër, eksportet në drejtim të Italisë shënuan rënie me 13,9% në 3-mujorin e parë, ndikuar nga rënia e mëtejshme e kërkesave të eksporteve fason. Rënie me 23,7% shënuan edhe eksportet drejt Maqedonisë së Veriut.
Për muajin mars, trendi është pak a shumë i njëjtë me 3-mujorin, ku Kosova ka patur rritjen më të madhe të eksporteve shqiptare, 83,1%, ndjekur nga Greqia me 13,1% dhe Gjermania me 11,3%. Ndërsa eksportet drejt Italisë shënuan rënie me 10,2% në mars, ashtu si edhe ndaj Maqedonisë së Veriut, me 41,2%.
Sa i përket importeve, në 3-mujor, rritjen më të madhe e kanë patur importet nga Kina, me 29%, nga Spanja, me 8,8%, si edhe Greqia me 6,4%. Ndërsa vendet me uljen më të madhe të importeve krahasuar me një vit më parë janë Turqia, me 26,9%, Gjermania me 9,4% dhe Italia, me një diferencë të vogël prej 0,3%. Pak a shumë in njëjti trend i tre-mujorit ka qënë edhe në mars 2025, ku importet nga Kina shënuan rritje me 25,3%, ndjekur nga ato nga Greqia me 6,7%. Ndërsa importet nga Turqia shënuan rënie me 19,7%, ndjekur nga importet gjermane me 12,2% dhe ato nga Italia me 2,8%.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,4 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,4 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (27,7%), Kina (8,6%) dhe Greqia (7,9 %). /ekofin.al

