Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një studim për Shqipërinë, ku edhe ka realizuar disa stres teste për sektorin bankar në vendin tonë, një dekadë pas FSAP-it, vlerësimit financiar të realizuar nga FMN dhe BB.
FMN thekson në krye të herës në studim se gjatë dekadës së fundit, sektori bankar shqiptar ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm transformues.
Që nga kulmi i NPL-ve prej 25% në vitin 2014, borxhet e konsiderueshme të qeverisë dhe treguesit jopozitivë makro, kreditë me probleme ranë në më pak se 5% në tre-mujorin e parë 2024, falë reformave financiare dhe një makroekonomie të fortë. Gjithashtu, FMN vlerëson se pronësia e huaj e bankave ka rënë ndjeshëm, nga 90% në vitin 2013, në 65% në tre-mujorin e parë 2024, duke reduktuar cënueshmërinë e sistemit bankar nga risqet e jashtme.
Mbikëqyrja bankare është forcuar vazhdimisht, me synimin për të përmirësuar dhe harmonizuar rregulloret me standardet dhe direktivat ndërkombëtare, si edhe për të ruajtur stabilitetin financiar. FMN vlerëson se sektori ka përballur mirë një sërë goditjesh të fundit.
Ndërsa ekziston heterogjeniteti, bankat kanë mbetur të mirëkapitalizuara dhe likuide, me një raport mesatar të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 19.3% në korrik 2024 (krahasuar me minimumin rregullator prej 12%) dhe raportet e likuiditetit mbi kërkesat rregullatorë, vlerëson më tej FMN.
Megjithatë, ekzistojnë hapësira për cenueshmërie, ku një pjesë janë identifikuar edhe në raportin e FSAP për Shqipërinë në vitin 2014, thotë FMN. Shqipëria mbetet ndër vendet e para në Evropë sa i përket ekspozimit të bankave ndaj borxhit të Qeverisë. Sipas FMN, tregjet e obligacioneve të qeverisë në monedhën vendase dhe të parasë mbeten jolikuide, gjë që mund të sjellë komplikacione për bankat në një moment të caktuar. Gjithashtu, sipas saj, rrezik potencial mund të jetë edhe ekspozimi i sektorit bankar në kredinë ndaj blerjes së pasurive të paluajtshme, të cilat gjatë viteve të fundit kanë parë rritje edhe më të shpejtë, shoqëruar edhe më rritjen e pandalshme të çmimeve.
Në studim, FMN ka realizuar edhe dy grupe ushtrimesh stres-teste për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar ndaj goditjeve. Rezulton se përgjithësisht bankat janë të mbrojtura ndaj goditjeve të përgjithshme të kredisë, me kapital të konsiderueshëm dhe do të viheshin në vështirësi vetëm në rastin e skenarëve më ekstremë. Edhe ndaj goditjeve të normave të interesit, bankat paraqiten përgjithësisht elastike.
Problemi i vetëm që konstatohet nga stres-testet, është ai që ka të bëjë me likuiditeti, në rastin e skenarëve ekstremë, ku FMN thekson se në mungesë të tregut sekondar të bonove në Shqipëri, aftësia e bankave për të gjeneruar likuiditet nëpërmjet shitjes së letrave me vlerë që ato zotërojnë me ndikim minimal në çmim nuk mund të zbatohet në praktikë. Në këtë aspekt, FMN rekomandon sërish nevojën e zhvillimit të tregut sekondar në Shqipëri. /ekofin.al
