594 subjekte, funksionarë të lartë shtetërorë janë referuar pranë prokurorisë apo strukturave të tjera hetimore të shtetit, nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në 10 vitet e fundit, për periudhën 2014-2024. Referimet vetëm për vitin 2024 janë vetëm 23 raste, ku vetëm njëri është referuar pranë SPAK.
Pra, institucioni kryesor, i ngarkuar me kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë, ka referuar vetëm një rast në vitin 2024 pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kur duhet theksuar se vetë SPAK pjesën kryesore të hetimeve që ka në proces për zyrtarët e lartë i ka hetime pasurie.
Në anën tjetër, për vitin 2024, ILDKPI ka vendosur 101 gjoba për zyrtarët e lartë për shkelje të ndryshme, ndërkohë që për periudhën 2014-2024 janë aplikuar në total 2,231 masa administrative “gjobë”, të cilat, në një pjesë të konsiderueshme janë ekzekutuar në mënyrë vullnetare apo janë lënë në fuqi nga Gjykata Administrative. Pra, nëse mesatarja e dhjetë viteve është diku 223 gjoba, për vitin e fundit, masat e marra nga ILDKPI nuk janë as sa gjysma e mesatares së dhjetë viteve.
Në total për vitin 2024, Inspektorati i Lartë ka administruar 4,329 deklarata nga subjektet e deklarimit të pasurisë. Gjithashtu, ai ka realizuar kontroll të plotë dhe të thelluar për 817 subjekte deklaruese, si për shkak funksioni, ashtu edhe bazuar në informacione të ardhura nga burime të ligjshme. /ekofin.al
