Në vitin 2024 janë publikuar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike në Sektorin e Shëndetit Publik 1514 procedura me vlerë fond limit total 26.5 miliardë lekë pa Tvsh.
Referuar të dhënave të Open Data Albania, nga këto procedura prokurimi, 563 tendera janë anuluar minimalisht një herë, me vlerë fondi limit 6.96 miliardë lekë pa Tvsh. Arsyet e anulimit kryesisht konsistojnë në argumentin se nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në fazën e parë. Anulimi i tenderave të institucioneve shëndetësore shton kosto administrative për institucionet publike, pasi procesi duhet të rihapet, të rishikohet dhe të kalojë sërish në të njëjtat hallka burokratike. Gjithashtu anulimet e shpeshta vonojnë furnizimin e spitaleve dhe pacientëve me barna dhe pajisje mjekësore të nevojshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në shërbimet shëndetësore.
Tendera të finalizuar me njoftim fituesi, në total janë 1014 procedura me fond limit 20.2 miliardë lekë pa Tvsh.
Nga 1014 tendera të realizuar, 740 janë markuar me flamur të kuq (redflag) që në vlerë fondi limit konsiston 13.26 miliardë lekë pa Tvsh. Pra mbi 50% në vlerën e tenderave në shëndetësi shfaqin mungesë konkurrence, skualifikim të të gjithë operatorëve ose skualifikim të ofertës më të favorshme.

Tenderi me vlerë më të lartë në këtë sektor është realizuar me autoritet prokurues Ministrinë e Shëndetësisë, Lot5 Ixazomib, marrëveshje kuadër me fond limit mbi 563 milionë lekë. Ky tender është markuar me flamur të kuq (redflag) nga Open Procurement Albania për mungesë konkurrence, me vetem një operator ekonomik në garë “Rejsi Farma” sh.p.k.
Kompania që ka fituar tendera në shëndetësi me vlerë fondi limit total më të lartë është pikërisht “Rejsi Farma” sh.p.k. e cila nëpërmjet 21 tenderave është shpallur fituese për vlerë fondi limit 1.75 miliardë lekë.
E dyta në renditje rezulton “Megapharma”, me fond limit total të shpallur fitues 1.31 miliardë lekë nëpërmjet 27 procedurave prokurimi.
Kompania “Medicamenta” tashmë “Mega Store” sh.p.k, pozicionohet e treta me 27 tendera të fituara me fond limit total 1.17 miliardë lekë. “Incomed” sh.p.k renditet i katërti në listë nga vlera e fituar e tenderave, duke fituar 41 tendera me vlerë fondi limit 1.14 miliardë lekë. Subjekti “O.E.S DISTRIMED” rezulton i pesti në listë me vlerë 1.02 miliard lekë nëpërmjet 19 tenderave të fituar.
Ne total këto 5 kompani kanë fituar 33% të tenderave të shpallur nga instuticionet e Shëndetit Publik përgjatë vitit 2024. /ekofin.al

