20 prilli është ligjërisht afati i fundit për bizneset për të realizuar pagesën e taksave dhe tarifave vendore. Por duke qënë se data 20 prill është ditë pushimi, ashtu si edhe data 21 prill që pason Pashkët, atëherë afati shtyhet për në 22 prill, pra të martën e javës së ardhshme, raporton ekofin.al.
Brenda këtij afati duhet të paguhen tarifa e pastrimit, taksa e reklamës, si edhe taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore.
Ndërkohë, taksat e lidhura me pronën, paguhen në dy këste, ku i pari është brenda 20 prillit (në këtë rast 22 prill), ndërsa tjetri është brenda datës 30 qershor 2025. Këto janë taksa mbi truallin, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi ndërtesën.
Taksapaguesit duhet të kryejnë likujdimin e detyrimeve tatimore sipas parashikimeve të nenit 74, të Ligjit “Për procedurat tatimore”. Në rast se pas datës 22 prill 2025, bizneset nuk kanë paguar ende detyrimet tatimore për taksat dhe tarifat vendore, atëherë nis llogaritja e penalitetete si kamatëvonesa. Gjithashtu, debitorët rrezikojnë të hyjnë në listën e subjekteve nën vlerësim nga tatimet dhe të penalizohen më tej edhe me gjoba.
Për detyrimet e tjera, që lindin pas datës 20 Prill, ose për biznese të reja që krijohen pas kësaj date, afati i pagesës së taksave dhe tarifave vendore është 30 ditë nga data e lindjes së detyrimit. Pagesat mund të kryhen online ose pranë çdo banke të nivelit të dytë. /ekofin.al
