Fondacioni “Dyrrah City Football Academy” ka shpallur thirrjen për realizimin e projektit të investimit për “Projektimin, ndërtimin dhe zhvillimin e Qendrës Sportive Durrës, për sportet e tenisit dhe basketbollit”, përmes një partneri investimi në përputhje me kërkesat e përcaktuara.
Fondacioni synon të prezantojë dy projekte të reja në Kampusin Sportiv në Durrës, një qendër tenisi dhe një ambient sportiv, i cili do të përdoret për Akademinë e basketbollit.
Qëllimi është që Qendra Sportive “Dyrrah City Sports Centre” të shndërrohet në një qendër multifunksionale, shumë sportive, duke ofruar mundësi të gjera për zhvillimin e sporteve të ndryshme dhe bashkëpunime me akademi të njohura ndërkombëtare.
Qendra do të ofrojë infrastrukturë të nivelit më të lartë në futboll, tenis dhe padel, dhe basketboll, duke ndjekur metodologjitë dhe standardet ndërkombëtare. Në vitin 2023, Fondacioni Dyrrah City Football Academy nënshkroi një marrëveshje me City Football Group dhe Manchester City Football Club për krijimin dhe zhvillimin e Shkollës së Manchester City në Durrës. Kjo marrëveshje synon të sjellë metodologjinë dhe standardet e Manchester City-t në trajnimet e futbollistëve të rinj, duke e bërë Dyrah City Football Academy dhe Shkollën e Futbollit Manchester City në Durrës një qendër ekselence për zhvillimin e talenteve të ardhshëm.
Projekti synon të krijojë një mjedis unik për zhvillimin e sportistëve të rinj, duke u fokusuar jo vetëm në aftësitë teknike dhe fizike, por edhe në përgatitjen e tyre akademike dhe profesionale.
Partneri i zgjedhur do të angazhohet në financimin, ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive, duke garantuar cilësinë dhe standardet e kërkuara për një qendër të nivelit më të lartë dhe në përputhje me detyrimet kontraktore.
Ky bashkëpunim do të sigurojë krijimin e një ekosistemi sportiv të integruar, ku do të operojnë akademitë si Dyrrah City Football Academy, Akademia e Tenisit, dhe Akademia e Basketbollit.
Partneri privat do të ketë mundësinë të përfitojë nga të ardhurat e krijuara nga funksionimi i kompleksit për një periudhë të përcaktuar, duke marrë pjesë aktive në zhvillimin e një prej projekteve më ambicioze sportive në rajon.
Në shkëmbim të financimit dhe realizimit të Projektit, Kandidati i suksesshëm përfiton të ardhura nga Fondacioni të krijuara nga aktivitetet e Fondacionit në sportet e tenisit dhe basketbollit për të gjithë periudhën e afatit të përfitimit.
Garancia e Kontratës është në vlerën 900 mijë Euro. Mosdorëzimi nga Kandidati i suksesshëm i Garancisë së Kontratës do të përbëjë arsye të mjaftueshme për anulimin e dhënies së kontratës. Në këtë rast, Fondacioni mund t’i japë kontratën Kandidatit me Propozimin tjetër më të favorshëm.
Aplikimet do të jenë të hapura deri në datën 2 Maj 2025. /ekofin.al
