Tarifat e vendosura nga Presidenti Trump mbi produktet e ekonomive botërore nuk përjashtuan as ato shqiptare. Megjithatë, në një deklaratë publike, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është komode dhe nuk duhet të shqetësohemi për volumin e tregtisë që kemi me SHBA-në.
Por, sado e ulët përqindja, për sektorin e bimëve medicinale vendosja e tarifës 10% për produktet shqiptare përkthehet në rritje të kostos së eksportet, duke i bërë ato më pak konkurruese në tregun amerikan. Për këtë qëllim në një deklaratë për mediat, kreu i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, kërkoi mbështetjen e shtetit shqiptar në këtë situatë, përmes marrjes së disa masave lehtësuese.
Situata në syrin e ekspertit të ekonomisë
Në një prononcim për ekofin.al, eksperti i ekonomisë dhe ish-drejtori i AIDA-s, z. Gent Beqiri, thotë se vendosja e tarifës 10% ndikon, po në fund të fundit kjo është një kosto që teorikisht do ta mbajnë kompanitë amerikane, në mungesë të alternativave të tjera.
“Ekonomia shqiptare përballet me një nga tarifat më të ulëta nga çfarë është vendosur për të tjerët dhe përqindja e produkteve që Shqipëria dërgon drejtpërsëdrejti në Amerikë është e ulët. Realisht, produkti pasterizohet dhe përpunohet në Evropë, e prej andej eksportohet në SHBA. Në këtë këndvështrim, duke qenë se Evropa do të ketë tarifa më të larta, është një mundësi për fermerët shqiptarë të depërtojnë tregun në mënyrë të drejtpërdrejtë,” thotë Beqiri.
Problematika të tregut të bimëve medicinale
Sipas ekspertit, tregut i mungojnë investimet për të shtuar vlerën e produktit, që do të thotë ruajtja në kushte optimale për të shmangur kalbëzimin apo praninë e insekteve, investimin në pasterizim, të cilat do të ndihmonin të përballonin rreziqet e tilla.
Gjithashtu një pikë tjetër tepër e rëndësishme janë certifikimet e produkteve, të cilat do t’u hapnin rrugën drejt tregjeve më të qëndrueshme dhe atyre premium.
Nga ana tjetër shoqata dhe fermerët duhet të shtojnë më tepër bashkëpunimin dhe diversifikojnë mënyrën e tregtimit, qoftë përmes panaireve fizike dhe atyre virtuale, si platformat e-commerce etj. Bashkëpunimi është pozitiv edhe në në drejtim të ofrimit të një sasie më të lartë produkti, por njëkohësisht edhe potencial më të mirë.
Qëndrimi i ekspertit
Sipas z. Beqiri, nga njëra anë vendosja e tarifave nuk është risk madhor, por nga ana tjetër ai duhet parë si një mundësi dhe nuk e bën produktin jokonkurrent. Ndër vendet që janë konkurrente në këtë treg është, kryesisht Turqia, për të cilën tarifa është po në nivelin 10% dhe kjo mund të shihet si një mundësi për tregun tashmë, sepse në fund të fundit amerikanët e marrin produktin medicinal nga Evropa, i cili shkonte tre-katërfish me çmim më të shtrenjtë.
Sa i përket rolit të Qeverisë, për ekspertin ai mund të jetë vetëm rol orientues që ndihmon në drejtimin e politikave. Janë fermerët dhe shoqata që duhet të bëjë përpjekjet madhore për të përpunuar produktin, të zhvillojnë vajrat esencialë, të shtojnë vlerën e produktit dhe të arrijnë tregun premium. /ekofin.al
