Në epokën e digjitalizimit, krahas përfitimeve, subjetet e të dhënave personale përballen edhe me cenimin dhe përpunimin jo të drejtë të tyre. Kjo dukuri mund të ndodhë në mediat online, në vendin e punës, në klasën e shkollës, në qendrën shëndetësore ku merret shërbim etj.
Cenimi i të drejta të subjekteve të të dhënave personale (akses/korrigjim dhe fshirje), përhapja e të dhënave personale pa pëlqimin e subjekti në media dhe portale online, vendosja e kamerave në ambiente publike dhe private kanë qenë qenë ndër ankesat më të shpeshta që Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka trajtuar në vitin 2024.
Ankesa të tjera lidhen me marketimin e drejtpërdrejtë në lidhje me komunikimet e pakërkuara, nëpërmjet telefonit ose postës elektronike, tejkalimin e afatit të mbledhjes së të dhënave personale për një qëllim të caktuar.
Gjatë vitit 2024, janë trajtuar 455 ankesa nga qytetarë/subjekte të të dhënave ose 61 ankesa më shumë se viti 2023, duke konfirmuar gjithnjë e më shumë kuptueshmërinë e subjekteve të të dhënave personale/qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së kësaj të drejte themelore. Në shifra përmbledhëse, për vitin 2024 Komisioneri u shpreh me: 17 Rekomandime Specifike dhe 3 Rekomandime Unifikuese, ndërsa 16 vendime korrespondojnë me 48 sanksione administrative gjobë dhe 2 Urdhra (për korrigjimin e të dhënave personale);
Krahasimisht me vitin 2023, në vitin 2024 Komisioneri ka dhënë 3 vendime më pak, të cilat korrespondojnë gjithashtu me 16 sanksione administrative më pak.
Me ligjin e ri në fuqi, sipas nenit 94, bazuar edhe në rrethanat e përcaktuara, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë deri në 1 miliardë lekë, ose në rastin e një shoqërie tregtare deri në 2% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, shkeljet e detyrimeve të kontrolluesit dhe përpunuesit; të organizmit certifikues dhe të organit monitorues. /Ekofin.al
