Data 1 prill 2025 ishte afati i fundit për të deklaruar DIVA-n.
Nga të dhënat e Administratës Tatimore, rreth 90% e individëve subjekt deklarimi për DIVA kanë dorëzuar deklaratën si për vitin 2023, ashtu dhe për vitin 2024.
Sipas Tatimeve, për DIVA 2024 nga 143.369 individë që duhet të deklaronin, e plotësuan 127.381 individë, ndërsa në vitin 2023, nga 73.850 individë që duhet të deklaronin, deklaruan 65.910 individë.
Administrata Tatimore fton individët që nuk kanë deklaruar ende, të bëjnë deklarimin e DIVA sa më shpejt për të shmangur gjoba dhe interesa të panevojshme, thuhet në njoftimet e Tatimeve.
Detyrimin e kishin të gjithë ata individë rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:
• kishin pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
• ishin të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
• realizuan të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.
Për herë të parë do deklaroheshin edhe të ardhurat nga platformat Booking dhe Aibnb.
Nga verifikimet paraprake të administratës tatimore, rezultuan rreth 33 milionë euro të ardhura të gjeneruara nga individët nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale META, Youtube dhe Google që duhen të deklaroheshin te DIVA. /ekofin.al
