Institucionet publike përfshirë edhe Policinë e Shtetit nuk kanë bërë aq sa duhet për raportimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në raportin vjetor të SPAK-ut, numri i ulët i referimeve për këto vepra penale vijon të mbetet në nivele problematike. Nga ana tjetër publiku ka qenë më bashkëpunues me SPAK dhe vihet re një shtim i numrit të referimeve dhe indicie.
Bashkëpunimi nga institucionet publike në lidhje me referimet e ardhura prej tyre ka nevojë ende të përmirësohet, thuhet në raport. Kështu numri i procedimeve të filluara nga referimet e përcjella nga institucionet publike mbetet i ulët, duke zënë vetëm 15,1% të totalit të referimeve të dërguara pranë SPAK nga të gjitha subjektet publike dhe private. Është për t’u theksuar se, referimet e ardhura nga Policia e Shtetit, krahasuar me vitin 2023, kanë shënuar gjithashtu një rënie shqetësuese me 53,8%.
Nga ana tjetër vihet re një rritje e besimit të publikut tek SPAK në lidhje me referimet e veprave penale. Kështu për këtë vit, shumica e referimeve kanë ardhur nga shtetasit, numri i të cilave zë rreth 37% të totalit. Krahasuar me vitin 2023, numri i procedimeve të nisura nga referimet e ardhura nga shtetasit është rritur në masën rreth 36%.
Të dhënat tregojnë se në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33 – ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish- zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve. /ekofin.al
