Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka njoftuar se ka lëshuar urdhëresë për kontrollin kufitarë, që të gjitha ngarkesat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili të dërgohen për testim mikrobiologjik, duke përfshirë tipizimin për llojet “Salmonella Typhimurium” dhe “Salmonella Enteritidis”.
“Ngarkesat e mostruara sipas procedurës qëndrojnë të bllokuar deri në nxjerrje të rezultateve të analizave. Po ashtu në kontrollin e brendshëm bazuar në vlerësim të analizës se rrezikut, janë inspektuar disa pika shitëse, ku përveç kontrollit është bërë edhe marrja e mostrave”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas AUV, për këtë rast është kontaktuar edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, nga të cilët kemi marrë konfirmim se nuk ka pasur ri-eksporte të produkteve të dyshuara nga Shqipëria për në Kosovë.
“Nga të gjitha linjat e komunikimit me konsumator apo institucionet shëndetësore deri me tani nuk kemi pranuar ndonjë njoftim lidhur me dyshime se ndonjë qytetar ka pasur indikacione shëndetësore të lidhura me konsum të mishit të pulës”.
Deri me tani, sipas AUV, nuk ka asnjë argument apo rezultat laboratorik qe dëshmon për prezencë të “Salmonella Typhimurium” në fileto pule të importuar nga Brazili, gjithçka është vetëm në nivelin e dyshimeve.
“AUV është duke ndërmarrë veprimet për të hequr dyshimet e ngritura”.
