Një ngarkesë me fileto pule me salmonelë, e ardhur nga Brazili, është bllokuar nga AKU, por ende nuk është e qartë nëse një pjesë e tyre janë hedhur apo jo ndërkohë në treg. Dyshohet se nga 19 kg mish pule, me salmonelë, janë bllokuar vetëm 400 kg, ndërsa pjesa tjetër mund të jetë hedhur ndërkohë në treg.
Përmes një njoftimi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit. Por në njoftim, AKU nuk janë asnjë sasi të mallit të sekuestruar, duke ngjallur shumë dyshime për pjesën tjetër që mund të jetë hedhur ndërkohë në treg.
Referuar analizimit në ISUV në datën 21 mars për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Ndërkohë, AKU bën të ditur se është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. /ekofin.al
