Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) dhe CEO i OTP Bank Albania, Bledar Shella, i pranishëm në një panel diskutimi së bashku me Zëvendës Presidentin Ekzekutiv për Evropën Juglindore në Mastercard, z. Bartocz Ciolkowski, vuri në dukje progresin e Shqipërisë dhe në veçanti të sektorit bankar në drejtim të digjitalizimit dhe rritjes së rolit mbështetës ndaj ekonomisë së vendit.
Opinionet e tij, z. Shella i shprehu në një aktivitet me rastin e lançimit të Programit Kombëtar për Përshpejtimin e Pagesave Elektronike, i quajtur POSI. Ky program synon zgjerimin e rrjetit të pajisjeve POS (Point of Sale) në të gjithë vendin, duke u ofruar bizneseve të përzgjedhura përdorim pa komision për një periudhë 12-mujore. Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë Kryeministri Rama, Presidenti i Mastercard Europe, Mark Barnet, Guvernatori Sejko dhe Ministrja Ibrahimaj.
Shella theksoi ambientin mjaft të shëndetshëm ekonomik të vendit, ecurinë shumë pozitive të sektorit bankar, duke realizuar vitin më të mirë të performancës në dekadën e fundit, si edhe shprehu angazhimin dhe mbështetjen për thellimin e digjitalizimit dhe realizimin e gjithë projekteve të nisura.
“Sektori i turizmit në veçanti ka realizuar një performancë të shkëlqyer gjatë viteve të fundit. Sektori bankar e ka mbështetur dhe do të vijojë ta mbështesë këtë sektor përmes rritjes së kreditimit. Por, ne gjithashtu kemi detyrimin për t’iu përgjigjur më cilësisht, me shërbime, nevojave të këtij sektori. Në këtë drejtim, edhe ky program, përmes zgjerimit të rrjetit të pikave të shitjes (POS) do të ndikojë në uljen e kostove për bizneset që operojnë edhe në sektorin e turizmit,” theksoi gjatë diskutimeve të tij CEO i OTP Bank Albania.
Shella vuri në dukje se bankat kanë bashkëpunuar dhe e mbështesin këtë program, duke shpresuar rritje të shërbimeve të pagesave jo cash, për të rritur jo vetëm pranimin e kartave, por edhe lëshimin e tyre, gjë që ndikon si në rritjen e edukimit financiar të klientëve, ashtu edhe në luftën kundër informalitetit dhe përdorimit të parasë cash në ekonomi.
Programi, i quajtur POSI, është i orientuar drejt mbështetjes së bizneseve të akomodimit, restoranteve, bizneseve të vogla dhe shërbimit taksi. Iniciativa, e ndërmarrë në bashkëpunim me Mastercard Europe, synon të nxisë më tej përdorimin e pagesave elektronike dhe reduktimin e parasë fizike. /ekofin.al
