Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ekonomia e Shqipërisë ka regjistruar një rritje prej 3.96% gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin 2023. Rritja ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2024 ishte 3.63%, në krahasim me të njëjtin periudhë të vitit 2023. Rezulton që në tremujorin e fundit të vitit, rritja ekonomike të jetë ngadalësuar nga 4.09% që ishte në tremujorin e tretë.
Sektorët që dhanë një kontribut pozitiv të konsiderueshëm në rritjen e PBB-së ishin: Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia, me një rritje prej 11.35%, e cila pati ndikim të madh në rritjen e PBB-së, aktivitete të Pasurive të Paluajtshme, me një rritje prej 10.76%, Arte, argëtim dhe çlodhje dhe Aktivitete të tjera shërbimi, që u rritën me 9.57%, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, me një rritje prej 4.33%, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit, që shënuan një rritje të vogël prej 2.10%. Po ashtu, Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht, duke shënuar një rritje prej 14.04%.

Ndërkaq, disa sektorë shënuan rënie gjatë tremujorit të katërt: Industria, Energjia dhe Uji pësuan një rënie të konsiderueshme prej 7.73%, duke ndikuar negativisht në rritjen e PBB-së, Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi u tkurrën me 2.70%, ndërsa Aktivitete Profesionale dhe Shërbime Administrative pati një rënie të vogël prej 0.05%, Për sa i përket metodës së shpenzimeve, konsumi final i popullatës kontribuoi me rritje, duke u rritur me 3.26% në tremujorin e katërt të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe konsumi final i qeverisë pati një rritje prej 0.56%, ndërsa Formimi bruto i kapitalit fiks shënoi një rritje prej 2.01%.
Nga ana tjetër, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 1.73%, ndërsa importet u rritën me 3.12%, një tregues i kërkesës më të madhe për produkte të jashtme gjatë këtij periudhe. Kur PBB-ja përshtatet për sezonin, janë vërejtur disa ndryshime më të vogla krahasuar me tremujorin paraardhës. Konsumi final i popullatës ka regjistruar një rritje prej 1.92%, ndërsa eksportet dhe importet kanë pasur rënie të vogla. /ekofin.al
