Prej të paktën tre vitesh, mediat, qytetarët, depututetët e zonës, kishin ngritur shqetësimin për kushtet skandaloze dhe çnjerëzore të spitalit të Lushnjes. Më në fund, sot është hapur procedura e tenderit për rikonstruksionin e spitalit “Ihsan Çabej” nga ana e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Fondi limit është 331 milionë lekë pa TVSH, ndërkohë që afati për realizimin e punimeve është caktuar 13 muaj nga data e lidhjes së kontratës me operatorin që do të shpallet fitues. Ofertuesit kanë afat deri në 4 prill për të paraqitur ofertat përkatëse në këtë tender. Ekofin.al u konsultua me dokumentit e tenderit dhe rikonstruksioni parashikon kryesisht përmirësime të fasadës së jashtme të spitalit, ndërrimin e dyerve, dritareve, veshjen e brendshme, si edhe sistemime, si lyerje, shtrim plakash, etj. Por jo investime në përmirësime pajisjesh apo teknologji mjekësore.
Që prej vitit 2022, deputeti demokrat i Lushnjes, Sajmir Korreshi, në mënyrë të vazhdueshme e kishte ngritur si çështje në parlament gjendjen skandaloze të spitalit të Lushnjes. “Hajdeni njëherë në spitalin e Lushnjës. Ke frikë të hysh, e jo më të mjekohesh. Të del miu nga këmbët e të mo dish nga të vesh. Ku jetoni ju ore? Në çfarë bote jetoni? Sot Lushnja në ditët më ta varfra, a e dini ju sa ka paguar një njeri për t’u kuruar, për të ndjekur me infermierë në shtëpi, sepse të gjithë kanë ndjekur regjimin shtëpiak,” ishte shprehur Korreshi.
Edhe deputeti socialist Braçe e ka ngritur si shqetësim gjendjen e spitalit.
“A e dini që spitali i Lushnjes është në një gjendje katastrofike. Kam përshtypjen që do të lemerisej mileti po t’ju sillja pamjet nga sallat e operacioneve të spitalit të Lushnjës. Keni një rreth që është më i madh se tre qarqe që ka nevojë për një spital se është në pikë të hallit,” ishte shprehur Braçe.
Pas rikonstruksionit, i cili pritet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm, spitali, të paktën në aparencë, pritet të mos sjellë më “lemerisje” të njerëzve. /ekofin.al




