Edhe pse autoritetet kishin paralajmëruar se data 13 mars do shënonte bllokimin e TikTok në Shqipëri, në zbatim të vendimit të Qeverisë, platforma vijon të jetë aktive.
Ekofin.al realizoi vetë disa testime dhe ajo funksionon normalisht në celularë të ndryshëm, pa nevojën për të përdorur VPN, pra program për të ndryshuar IP.
Vendimin për ta mbyllur TikTok u mor nga qeveria pasi u konsultua me 65 mijë prindër dhe mësues, si masë për sigurinë e fëmijëve në këtë platformë. TikTok pritet të rihapet sërish në momentin e parë që kompania do të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot me mesazhe dhune. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
Ende nuk dihet se kur do të realizohet mbyllja nga ana e autoriteteve, por ata kanë deklaruar se procesi mund të kërkojë më shumë kohë nga ç’ishte menduar paraprakisht. /ekofin.al


