17 mars 2025, ose e hëna e javës së ardhshme është afati i fundit për të gjitha Agjencitë që operojnë në ndërmjetësimin e tregut të punës për të aplikuar për ndryshimet në lejen e posaçme të veprimtarisë.
Qendra Kombëtare e Biznesit ka njoftuar të gjithë këto subjekte për detyrimin ligjor, i cili buron nga VKM 703/2024.
Në dispozitën kalimtare të këtij vendimi shprehet se “Për licencat aktive, për nënkategorinë X.2.A, të dhëna para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, brenda afatit kohor prej 120 (njëqind e njëzet) ditësh kalendarike, subjektet kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, në përputhje me kriteret e reja, me qëllim mbajtjen e licencës, në të kundërt ajo do të revokohet”.
Sipas ligjit dhe VKM-së, agjencitë duhet të plotësojnë kriteret e posaçme që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë e njohurive dhe eksperiencës së personelit, e për këtë nevojitet një drejtues Teknik. Agjencia duhet të provojë me dokumentacion certifikatën për drejtuesin Teknik, si dhe akti që provon marrëdhëniet e kërkuara të punës.
Kriteri i dytë i posaçëm ka të bëjë me mjaftueshmërinë e kapitalit si rezervë sigurie për të tretët dhe për këtë kriter agjencitë duhet të provojnë ngrirjen e një kapitali të caktuar.
“Agjencia, gjatë gjithë aktivitetit të saj, duhet të ketë një minimum rezervë sigurie të ngurtësuar, jo më pak se 1 milion lek të provueshme nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi, e licencuar nga shteti për të ushtruar këtë veprimtari, që mund të përdoret për kompensimet ndaj të tretëve”, thuhet në vendim.
Përveç sa më sipër, Agjencia mban evidenca për ndërmjetësimet e kryera, duke përfshirë dokumentet, si regjistrin, me numrin identifikues përkatës për çdo të ndërmjetësuar; dokumentin identifikues të ndërmjetësuarit; regjistrin me të dhënat identifikuese të subjekteve tregtare përkatëse, që kanë punësuar të ndërmjetësuarin.
Gjithashtu, agjencitë çdo 6 (gjashtë) muaj, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për strukturën, veprimtarinë e vet dhe për ruajtjen e çdo kriteri të licencimit.
Të gjitha licencat, autorizimet dhe lejet përditësohen në regjistrin kombëtar të QKB-së. /ekofin.al
