Raporti i kredive me probleme kundrejt totalit të kredive në sektorin bankar e nisi vitin 2025 me një rënie të mëtejshme, duke zbritur në 4.12%, që është një tjetër nivel i ulët historik. I vlerësuar si një nga treguesit kryesorë të shëndetit financiar të sektorit bankar, ky tregues ka shënuar rënie të vazhdueshme edhe gjatë vitit 2024, ndërsa tendeca rënëse ka vijuar edhe përgjatë këtij viti. Kjo, edhe pse portofoli i kredisë ka vijuar zgjerimin me shpejtësi, sidomos gjatë vitit të kaluar.
Paralelisht, kanë shënuar rënie të mëtejshme edhe treguesit e tjerë të lidhur me huatë me probleme, si huatë me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner (në %) nga 3.86% në dhjetor, në 3.71% në muajin janar të këtij viti.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të gjithë treguesit e shëndetit financiar të sektorit bankar, e kanë nisur vitin 2025 me përmirësime të mëtejshme. Kështu, është shënuar përmirësim, sa i përket RoE të gjithë sektorit, nga 18.21% në dhjetor 2024 në 19.18% në janar 2025, si edhe RoA, nga 2.17% në fundvitin 2024 në 2.33% në janar 2025.
Rënia e mëtejshme të raportit të kredive me probleme, si edhe përmirësimi i treguesve kyç financiarë, nënkupton një konsolidim të mëtejshëm të sektorit bankar në vend. Viti 2024 ishte një vit tejet pozitiv për këtë sektor, edhe referuar të gjithë treguesve, si edhe performancës dhe fitimeve të siguruara nga 11 bankat tregtare që operojnë në vend. /ekofin.al
