Balanca punë-jetë është një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm për njerëzit që kërkojnë një punë të re dhe konsiderohet si një element përcaktues edhe për përzgjedhjen e shtetit për të jetuar.
Sondazhi i 10,000 punëtorëve i publikuar në shkurt nga firma konsulente “Gallup” tregoi se mirëqenia personale ishte faktori më i rëndësishëm kur merret parasysh një ofertë pune, e ndjekur nga paga dhe siguria e punës.
Renditja nuk fokusohet në pagat apo koston e jetesës, por më tepër në faktorë të tjerë që mund të përmirësojnë cilësinë e jetës, si pushimi i lehonisë, pagesa e sëmundjes, orët e punës dhe të drejtat sociale.


Rezultati i indeksit të balancës punë – jetë të zhvilluar nga kompania “Remote” tregon se Shqipëria siguron 56.25 pikë. Edhe pse ky rezultat është krahasimisht i ulët me vendet e Evropës kryesisht, ai lë pas fqinjët ballkanikë si Greqia me 55.9 pikë, Serbinë me 48.89 pikë, Maqedoninë e Veriut me 51.37 pikë dhe Malin e Zi me 45.93 pikë.
Shqipëria renditet poshtë indeksit sa i përket balancës midis kohëzgjatjes në javë të lejes së lindjes dhe përqindjes së pagesës së saj, konkretisht 52 javë leje që paguan me 50% të pagës, duke lënë pas Serbinë që lejon 52 javë me 100% të pagesës. Vendet e tjera ballkanike si Maqedonia e Veriut me 39 dhe Mali i Zi me 14 javë paguhen 100% të lejes së lindjes.
Megjithatë Shqipëria pozicionohet më mirë në indeksin e pagesës së raporteve shëndetësore, të cilat paguhen në masën 80%, një shifër e krahasueshme me Zvicrën, Suedinë dhe Poloninë, e duke lënë pas Gjermaninë me 70%. Pozicionin më të dobët në rang global e mban Sllovakia me 25 %, ndërkohë që listën e kryesojnë vendet nordike si Islanda, Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia me 100% të pagesës.


Irlanda kryeson tabelën falë masave të reja të pagave për sëmundjet
Irlanda u ngjit me 23 pozicione nga indeksi i balancës punë-jetë në distancë të vitit të kaluar për të rrëmbyer vendin e parë. Irlanda përfiton gjithashtu nga një nga pagat minimale më të larta në Evropë, e vendosur në 13,44 € në orë.
Islanda është e dyta falë një prej pushimeve vjetore më të gjata ligjore, 38 ditëve, pagës 100% për sëmundje, një prej indekseve më të larta të lumturisë (7.5 nga 10) dhe një norme përfshirjeje LGBT prej 93%.
Testet e javës së punës katër-ditore e shtyjnë Danimarkën në treshen e parë
Danimarka, një nga vendet e pakta në Evropë që ka provuar një javë pune katër-ditore në disa sektorë, pason Islandën për të zënë vendin e tretë. Çuditërisht, vendi ka një nga javët më të shkurtra të punës mesatarisht, vetëm 33,91 orë.
Belgjika vijon në vendin e katërt, duke hyrë në top 10 për herë të parë në indeksin Remote, pjesërisht për shkak të përmirësimit të politikës së saj të fundit të pushimit mjekësor.
Spanja është i vetmi vend i Evropës Jugore në top 10, falë një prej marrëveshjeve më bujare të pushimit vjetor (36 ditë) dhe pagës së madhe të pushimit të lehonisë: 100% e pagës së nënës.
Ndërsa Holanda, e cila vetëm për pak nuk u fut në dhjetëshen e parë, ofron javën më të shkurtër të punës mesatarisht, rreth 32 orë në javë.
Orët e gjata të punës kanë ndikim negativ në ekuilibrin punë-jetë
Raporti tregon qartë se vendet me orët më të gjata të punës priren të vendosen në gjysmën e poshtme të tabelës. Mali i Zi, kombi me javën më të gjatë të punës (43.3 orë), është i 38-ti nga 41 vende në indeksin e përgjithshëm. Serbia, me javën e dytë më të gjatë të punës (42 orë) është e 34-ta, ndërsa Moldavia (39.7) është e 39-ta.
Leja e lehonisë kundrejt balancës punë-jetë?
Është interesante se tri vendet me lejen më të gjatë të lehonisë – të gjitha të vendosura në Ballkan – vendosen në gjysmën e poshtme të indeksit të përgjithshëm të bilancit të punës dhe jetës: Bullgaria (58.6 javë pushim lehonie), Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria (52).
Nga ana tjetër, disa shtete në vendet e para, si Gjermania, Belgjika, Portugalia dhe Sllovenia, kanë pushimin mesatar më të shkurtër të lehonisë.
Për më tepër, Irlanda, e cila u rendit e para në renditjen e përgjithshme, ka normën më të ulët të pagës së lehonisë, (27.3%) e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar fqinje (29.8%). /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
