Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon të gjithë tatimpaguesit se vijojnë përmirësimet për të lehtësuar procesin e deklarimit elektronik të deklaratave tatimore.
Nga periudha shkurt 2025 e në vijim, Deklarata e re e Tatimit të Mbajtur në Burim paraplotësohet me informacionin e deklaratës paraardhëse për rubrikat që kanë informacion të vijueshëm si dhe ka disa përmirësime, të cilat iu mundësojnë tatimpaguesve një deklarim më të saktë dhe më të lehtë.
Ndryshimet e implementuara kanë të bëjnë me të dhënat e vetëdeklaruara nga tatimpaguesi në deklaratën paraardhëse për “Pagesa qiraje ndaj individëve”; “Fitime kapitale nga skemat e sigurimit të jetës dhe/ose pensionit privat”, si edhe “Pagesa për pronësinë intelektuale dhe të drejtat e autorit” do te paraplotesojnë deklaratën e muajit pasardhës.
Pra, nëse tatimpaguesi ka deklaruar Deklaratën e Tatimit të Mbajtur në Burim për periudhën janar 2025, deklarata e periudhës shkurt 2025 do të parambushet nga modeli më i fundit i dorëzuar për periudhën janar 2025, thuhet në njoftim.
Vlerat e paraplotësuara mund të ndryshohen ose të fshihen. Pra, tatimpaguesi për secilën rubrikë të paraplotësuar mund të heqë pagesa të deklaruara në muajin paraardhës, të shtojë të reja ose t’i ndryshojë, pasi të gjitha rekordet e parambushura do të jenë në formë të modifikueshme deri në dorëzimin e deklaratës nëpërmjet butonit “Dorëzo”.
Deklarata mund të shkarkohet në formatin Excel, si në versionin Ruaj ashtu edhe në versionin Dorëzuar. Në dokumentin Excel do të shfaqen vetëm rubrikat për të cilat ka pasur pagesa për atë periudhë tatimore.
Të dhënat mund të fshihen në grup, duke i përzgjedhur të gjitha njëkohësisht nëpërmjet funksionalitetit Select All dhe më pas duke klikuar në butonin Fshi.
Deklaruesit, të cilëve u nevojiten më shumë sqarime apo informacion të nevojshëm, mund të konsultojnë dokumentin bashkëngjitur njoftimin në faqen zyrtare të Tatimeve. /ekofin.al
