Administrata shtetërore nuk duhet të përdoret për qëllime partiake gjatë zgjedhjeve për Kuvendin në maj 2025.
Vendimi i qeverisë i botuar në Fletoren Zyrtare, tregon marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme për vitin 2025, si dhe për mospërdorimin e burimeve publike për qëllime partiake.
Sipas vendimit, punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
Gjithashtu, punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Por, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, punonjësi ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, por pa shprehur publikisht bindjet apo preferencat e tij politike.
Nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, i ndalohe të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat; të manifestojë me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht; të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike apo të kandidatëve.
Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore, ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre duhet të marrin masa të menjëhershme, si dhe të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, thuhet në vendim.
Gjithashtu duhet të verifikojnë të dhënat e përdorimit të mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, gjatë periudhës përpara fillimit dhe gjatë fushatës zgjedhore, në funksion të evidentimit të përdorimit ose jo të tyre për qëllime elektorale.
Titullarët duhet të sigurohen që burimet njerëzore nuk do të përdoren për qëllime elektorale, si dhe të marrin masa për pezullimin nga detyra të nëpunësve civilë të institucioneve të tyre, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e përgjithshme të datës 11 maj 2025.
Për nëpunësit e tjerë, marrëdhënia e punës së të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, merren masa, sipas rastit, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga detyra në rastet kur rezultojnë që janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e përgjithshme të datës 11 maj 2025.
Departamenti i Administratës Publike merr masat e nevojshme që gjatë fushatës zgjedhore të mos publikojë vendet vakante të shërbimit civil të institucioneve të administratës shtetërore dhe të pezullojë të gjitha fazat e proceseve të rekrutimit në shërbimin civil në institucionet e administratës shtetërore, të nisura para datës 11 prill 2025.
Po kështu Institucionet dhe shoqëritë aksionare publike, pjesë e administratës shtetërore që punësojnë punonjës, marrëdhënia e punësimit së të cilëve rregullohet sipas dispozitave të Kodit të Punës apo legjislacioni tjetër specifik, të ndryshëm nga ai i shërbimit civil, pezullojnë procedurat e rekrutimit dhe të emërimit të nëpunësve/punonjësve për periudhën 3 mars 2025–11 maj 2025.
Procedurat e rekrutimit të nisura në këto institucione përpara datës 3 mars 2025 vijojnë të përmbyllen, por, në çdo rast, përpara datës 11 prill 2025.
Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e jashtëzakonshme kur për shkak të mungesës së personelit cenohet vijimësia e dhënies së shërbimeve për qytetarët nga institucionet e infrastrukturës kritike, shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja, për të cilët ky detyrim zbatohet për periudhën e fushatës zgjedhore.
Moszbatimi i rregullave dhe i detyrimeve të parashikuara në këtë vendim passjell përgjegjësi disiplinore dhe ligjore, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Vendimi ngarkon për zbatim ministrat, titullarët e institucioneve të administratës shtetërore dhe Departamenti i Administratës Publike./ekofin.al
