Autoritetet njoftojnë se kanë marrë masa për groposjen e rreth 69 mijë shpendëve të fermës “Rea’s” të ngordhura, për të shmangur përhapjen në fermat e tjera të gripit të shpendëve.
Megjithatë, asgjësimi i tyre nuk ka nisur ende, për shkak të procedurave dhe lejeve që duhen marrë në disa institucione. Po ashtu janë bllokuar dhe 250 mijë vezë të këtij kapanoni dhe AKU do të merret me asgjësimin e tyre. Vezët nuk janë asgjësuar ende, ndërkohë që ekziston reziku që ato të dalin në treg, ndaj qytetarët duhet të tregojnë kujdes për etiketat e vezëve “Rea’s”, me datë nga 3 marsi 2025.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar më herët në faqen zyrtare për konstatimin dhe ndjekjen e gjithë protokolleve veterinare për marrjen e masave në kohë. AKVMB ka njoftuar gjithashtu 68-subjektet e mbarështimit të shpendëve, të cilët duhet të marrin masa për biosigurinë në stablimentet e tyre, si dhe ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës.
Aktualisht të pranishëm në terren janë strukturat veterinare Rajonale, të Drejtorisë së Përgjithshme të AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
