Ndërprerja pa afat e fondeve amerikane, si edhe njoftimi i Zvicrës për reduktimin e programeve dhe fondeve për Shqipërinë, ka vënë në vështirësi dhe lëvizje “lumin” e organizatave të shoqërisë civile që operojnë në vendin tonë.
Përmes një letre të hapur, drejtuar Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, të cilën e disponon EKOFIN.al, një grup prej 86 organizatash, duke e nisur me pretekstin e përfshirjes në procesin e hartimit të finalizimit të Udhërrëfyesit për Politikën e Qeverisë për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, kërkojnë praktikisht më shumë fonde nga Buxheti i Shtetit, me “kërcënimin” se në të kundërt “shërbimet e ofruara prej tyre” për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, rrezikojnë të ndërpriten.
“Financimi publik për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile ka qenë ndër vite i pamjaftueshëm për të adresuar nevojat e grupeve që u shërbejnë. Me tërheqjen e donatorëve bilateralë dhe reduktimin e ndihmës së huaj, sfida e qendrueshmërisë financiare është rritur, duke vënë në rrezik vazhdimësinë e shumë shërbimeve të ofruara nga sektori jofitimprurës dhe rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin social, ekonomik dhe demokratik të vendit,” theksojnë OJF-të.
Më tej, ato kërkojnë “sigurimin e burimeve të qëndrueshme financiare përmes buxhetit të shtetit, për të garantuar mbështetje afatgjatë për organizatat e shoqërisë civile”. Letra i është dërguar Ministres Koçiu, duke qënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni drejtues i Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile, por në fakt është një apel drejtuar Qeverisë, me kërkesën për të “zgjidhur qesen” e fondeve për shoqërinë civile.
Prej vitesh shoqëria civile ka shkaktuar debat në Shqipëri, debat i cili u rikthye në qëndër të vëmendjes me lajmin për ndërprerjen e fondeve të USAID, ku një pjesë e mediave publikuan dhe pagat dhe përfitimet e majme të disa prej drejtuesve të OJF-ve në Shqipëri. Ndërkohë që përfitimet për zbatuesit e projekteve nuk kanë munguar, shpesh ai që ka qënë në diskutim ka qënë produkti, ndonjëherë inekzistent dhe ndonjëherë jo i matshëm. Çështja tani është, do alokojë buxheti i shtetit më shumë para për OJF-të, apo do ketë më shumë financime për pajisje spitalore, për ilaçe dhe për të përmirësuar më tej shëndetësinë? /ekofin.al
