Shqipëria do të marrë borxh 118.5 milionë dollarë te Fondi i Abu Dhabit për projektin e monitorimit m kamera inteligjente “Smart City”, që do të implementohet sërish nga një kompani arabe, Presight, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar që në prill të vitit të kaluar nga Ministri i Brendshëm i asaj periudhe, Taulant Balla. Kredia do të ketë një interes prej 4% dhe do të nisë të shlyhet nga viti 2028.
Në përshkrimin e projektit, të cilin e disponon EKOFIN.al, theksohet se ai synon të forcojë infrastrukturën teknike të Shqipërisë, për të siguruar një mjedis të sigurt duke përfituar nga teknologjitë e inteligjencës artificiale.
Projekti përfshin instalimin e 2,239 kamerave ANPR, teknologji që realizon njohjen automatike të targave, si edhe dhe 2,602 kamerave PTZ për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve.
Gjithashtu, pjesë e projektit do të jetë vendosja e 3,816 kamerave trupi për policinë, të cilat do të lidhen me një sistem të centralizuar për mbikëqyrje dhe reagim të shpejtë. Për të përmirësuar sigurinë në rrugë dhe autostrada do të instalohen 100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme për të monitoruar shpejtësinë dhe sigurinë e trafikut.
Ky projekt do të mundësojë monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore, të cilësuara me interes prioritar për Policinë e Shtetit, si dhe në të gjitha pikat e kontrollit kufitar.
Programi synon rritjen e sigurisë në komunitet përmes uljes së numrit të veprave penale që cenojnë sigurinë në komunitet, përdorimit të teknologjive të reja për kontrollin e territorit dhe rritjen e numrit të zonave policore, të mbuluara me pajisje teknologjike, uljes së numrit të shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, numrit të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda, duke ushtruar kontroll efektiv për rregullat e qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.
Projekti do të zbatohet nga Ministria e Brendshme nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe parashikohet të jetë i shtrirë në tre faza prej 12 muajsh nga data e fillimit, si dhe një fazë funksionimi dhe mirëmbajtjeje për një periudhë prej 48 muajsh.
Referuar procedurave, në bazë të marrëveshjeve shtetërore, kompanitë arabe, përmes marrëveshjeve të posaçme, si kjo e lidhur për “Smart City”, mund të realizojnë projekte në Shqipëri, pa iu nënshkruar procedurave dhe tenderave. /ekofin.al

