Duke nisur nga data 3 mars, do të ndalohet çdo procedurë rekrutimi e re në administratën shtetërore gjatë periudhës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit.
Kështu ka bërë me dije Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në një dalje për mediat nga Kryeministria.
“Që prej datës 3 mars do të ndalohet çfarëdolloj procedure rekrutimi, që të marrin në punë punonjës të rinj, procedurat e nisura duhet të përfundojnë”.
Pirdeni sakaq, ka sqaruar vendimin e Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të vitit”.
Sipas saj, procedurat e rekrutimit të nisura duhet të përfundojnë, ndërsa në asnjë ministri, institucion apo shoqëri aksionere ku shteti është pronar, nuk do të lejohet rregullimi i procedurave të reja për punësime, përveç rasteve emergjente në fushat e infrastrukturës kritike, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.
“Në asnjë ministri, institucionet e varësive dhe në të gjitha ato shoqëri aksionere ku shteti është pronarë nuk do ketë procedura të reja rekrutimi, vetëm për nevoja emergjente në fusha si infrastruktura kritike, shëndetësia, arsimi ose mbrojtja”.
“Ato nevoja emergjente duhet të përmbushen”. Masa në fjalë, ka për qëllim të sigurojë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të parandalojë përdorimin e burimeve njerëzore të administratës shtetërore për ndikim politik.
