Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.7% këtë vit në ngadalësim nga vlerësimi i rritjes së vitit të kaluar prej 3.9%. Në raportin më të fundit, BERZH parashikon se vitin e kaluar ekonomia e vendit tonë u rrit mbi parashikohet fillestare, për shkak të performancës shumë të mirë të turizmit, shërbimeve të lidhura me të, si edhe ndërtimit, ndërkohë që prodhimi industrial dhe ai bujqësor shënuan rënie.
Konsumi dhe investimet publike ishin kontribuesit kryesorë për rritjen, ndërkohë që eksporti i mallrave shënoi rënie të ndjeshme, i ndikuar nga mbivlerësimi i lekut dhe kërkesa e dobët e jashtme, duke zgjeruar më tej deficitin tregtar, konstaton BERZH.
Inflacioni ra në mesatarisht 2.2% në vitin 2024, duke i dhënë mundësi Bankës së Shqipërisë të ulë normat e interesit nga 3.25% në fillim të vitit të kaluar në 2.75% në shkurt 2025. Sektori financiar ishte i qëndrueshëm, me rritje të aktivitetit kreditues.
Parashikimi për rritjen 3.7% për vitin 2025 dhe 2026 vjen për shkak të prirjeve pozitive si pasojë e vazhdimit të reformave strukturore, angazhimit të fortë për integrimin në BE dhe potencialit për fondet që mund të përfitohen përmes Planit të Rrritjes. Megjithatë, kjo prirje pozitive, rrezikohet nga pritshmëritë për rënie të kërkesës nga Eurozona, ulja e remitancave, si edhe një kërkesë më e dobët turistike sesa ajo e vitit të kaluar.
Kushtet klimatike (më së shumti thatësira) mund të ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë dhe të sjellin rritje të importeve të saj, edhe pse rritja e prodhimit të energjisë diellore mund të shërbejë si amortizues ndaj këtij rreziku, konstaton BERZH në raportin për Shqipërinë. /ekofin.al

