Nga sot qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar subvencionimin deri në 70% të vlerës së investimit për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Aplikimi realizohet online vetëm në linkun https://panelet.eficenca.gov.al/ ku qytetarët më parë duhet të regjistrohen dhe të krijojnë një llogari.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se nga kjo thirrje do të përfitojnë 2 mijë familje.
Vendosja e paneleve diellore për ngrohjen e ujit ndikon drejtpërdrejt në reduktimin e faturës së energjisë elektrike për familjet 20-30%.
“Prej ditës së sotme janë hapur aplikimet për të gjithë abonentët familjarë për vendosjen e paneleve për ngrohjen e ujit. Janë 2 mijë njësi për 2 mijë familje që do të përfitojnë 70% subvencionim nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.
Fituesit e thirrjes së parë nuk mund të aplikojnë përsëri për të njëjtën banesë/kontratë energjie. Thirrja e parë, e hapur në 2023-shin rezultoi e suksesshme dhe rreth 1980 familje në të gjithë vendin kanë të instaluara në banesat e tyre panelet diellore për ngrohjen e ujit, të subvencionuara në masën 70% nga buxheti i shtetit.
