Pas thuajse dy vitesh me shifra negative muaj pas muaji, eksportet u rimëkëmbën për herë të parë në janar 2025, ndikuar kryesisht nga eksportimi masiv i energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas shifrave të INSTAT, në Janar 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 31 miliardë lekë, duke u rritur me 4,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 21,7%, në krahasim me Dhjetor 2024. Nga këto, 4.37 miliardë lekë është energjia e eksportuar në Kosovë.
Në anën tjetër, importet e mallrave arritën vlerën 60 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0,1%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 23,5%, në krahasim me Dhjetor 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 29 miliardë lekë, ose 4,5%, krahasuar me Janar 2024.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve
Gjatë muajit Janar 2025, në rritjen e eksporteve prej 4,9%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +13,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,5 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,3 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -2,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,1 pikë përqindje etj.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve
Gjatë muajit Janar 2025, në rritjen e importeve prej 0,1 %, krahasuar me Janar 2024, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,67 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,65 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,99 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,3 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,8 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre“ me -0,14 pikë përqindje.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Janar 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2024 janë: Kosova (91,6 %), ndikimi kryesor nga eksporti i energjisë, Greqia (2,0 %) dhe Spanja (86,0%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (17,7 %), Gjermania (1,6 %), Turqia (43,1 %), etj. Në muajin Janar 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (5,9 %), Kina (45,4%), Greqia (2,1 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe në krahasim me Janar 2024 janë: Turqia (9,1%), Gjermania (2,0 %), SHBA (55,5 %), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 56,9 %, të gjithë tregtisë. Në Janar 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27,2 %), Kina (9,9 %), Greqia (7,7 %), Kosova (7,0 %). /ekofin.al
