Global FDI reports (Raporte botërore të investimeve të huaja të drejtpërdrejta), në bashkëpunim me “Usa Today” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë dhe zhvillimeve ekonomike të viteve të fundit me një fokus të veçantë investimet në turizëm.
I vendosur në Evropën Juglindore, përtej detit Adriatik nga Italia dhe në kufi me Greqinë në jug, vendi i lashtë dhe tërheqës i Shqipërisë është një nga destinacionet më shpërblyese të Evropës jo vetëm për udhëtarët, por edhe për investitorët dhe sipërmarrësit, thekson artikulli.
Vendi i një bregdeti mahnitës dhe i një brendësie malore të mbushur me site historike, Shqipëria është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në kontinent. Vendi po tërheq shuma rekord investimesh të huaja në sektorë të tillë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, bankat dhe sigurimet.
“Qeveria ka punuar me zell për të krijuar një mjedis mikpritës për të gjithë – nga turistët tek investitorët kryesorë”, thotë Igli Hasani, ministër i Shqipërisë për Evropën dhe për Punët e Jashtme. “Për shumë njerëz, angazhimi me Shqipërinë ka rezultuar të jetë shpërblyes dhe frymëzues”.
E vendosur në zemër të Ballkanit, Shqipëria nisi rrugëtimin e saj demokratik në vitet 1990, duke përqafuar rolin e saj si një komb dinamik dhe largpamës në rajon. Që atëherë, një partneritet afatgjatë me SHBA-në e ka ndihmuar Shqipërinë të evoluojë në një ekonomi të tregut të lirë, ku shteti i së drejtës forcohet çdo ditë e më shumë.
Anëtare e NATO-s që nga viti 2009, Shqipëria është gjithashtu në rrugën e saj të mirë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Qeveria filloi bisedimet e pranimit në fund të vitit 2024 dhe pret që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim deri në vitin 2030.


Shqipëria zgjohet çdo mëngjes dorë për dorë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara
“Shqipëria i përket BE-së dhe e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërtohet në BE”, tha kryeministri Edi Rama në fillimin e negociatave në tetor. “Nëse ekziston një mision i përbashkët kombëtar për të gjithë shoqërinë, për të gjitha partitë politike dhe për të gjitha forcat aktive në shoqëri, është të kontribuojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Ekonomia e Shqipërisë po zgjerohet me shpejtësi teksa konvergon me BE-në. Sipas bankës qendrore të vendit—Banka e Shqipërisë (BSH)—PBB për frymë është pothuajse trefishuar gjatë dekadës së fundit. FMN parashikon që PBB-ja do të rritet me rreth 3.5% në vit për pjesën e mbetur të dekadës, shumë mbi mesataren evropiane.
Ritmet e larta të rritjes ekonomike, së bashku me reformën në drejtësi dhe përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE, po e ndihmojnë Shqipërinë të tërheqë nivele të paprecedentë të investimeve të huaja. Qeveria ka vendosur një sërë stimujsh dhe përjashtimesh fiskale për investitorët e huaj, duke përfshirë një normë tatimore prej vetëm 6% për investimet në turizëm.

“Shqipëria është e etur për të tërhequr investitorë seriozë, me theks të veçantë tek investitorët amerikanë”, shpjegon guvernatori i BSH-së, Gent Sejko. “SHBA-ja konsiderohet një partner strategjik”.
Rritja ekonomike dhe reformat politike po transformojnë gjithashtu shoqërinë shqiptare. Gratë po marrin role të spikatura në të gjitha fushat e jetës, nga sporti dhe media e deri te biznesi dhe qeveria. Ndërkohë, shumë anëtarë të diasporës globale të Shqipërisë po kthehen në shtëpi për të ndërtuar jetë të reja në tokën e mundësive në Evropë. /usa today
