Normat e interesit të kredive dhe depozitave si në lekë ashtu dhe unë euro kanë shënuar rënie në tremujorin e katërt të 2024.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë të politikës monetare janar 2025, normat e interesit të kredive dhe të depozitave të reja kanë shfaqur rënie në tremujorin e katërt 2024, duke reflektuar më tej edhe uljen e fundit të normës bazë në muajin nëntor.
Krahas reduktimit të kostove të burimeve të financimit për bankat – huamarrje nga BSH-ja dhe depozita – nivelet e ulëta të interesave të kredisë reflektojnë edhe primet e ngushta të rrezikut të kredisë.
Diferenca e normës së interesit kundrejt bonos 12-mujore është luhatur rreth nivelit minimal prej 3.3% në dy vitet e fundit. Segmenti i individëve spikat për konkurrencën e lartë mes bankave dhe ofrimin e kushteve më të lehtësuara të kreditimit, çka është reflektuar në rënie më të shpejtë të interesave krahasuar me bizneset.
Interesi mesatar për kredinë e re në Lek dhënë biznesit në këtë tremujor rezultoi 6.4%, nga 6.5% dhe 6.8% që ishte përkatësisht në tremujorin e tretë dhe të dytë të vitit. Analiza e interesit të kredisë sipas shumës së lëvruar evidenton rënie të interesave në të dyja kategoritë. Kreditë me shumë deri në 35 mln lekë janë lëvruar me një normë interesi mesatare prej 7.4%, ose 0.2 pikë përqindjeje më të ulët nga një tremujor më parë. Interesi mesatar për kreditë më të mëdha se kjo shumë ka rënë në të njëjtën masë, duke zbritur në 5.9%.
Ulja e normave të interesit të kredive është më e dallueshme në segmentin e individëve, ku rënia ka filluar që në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Interesi i kredisë hipotekare për individë në tremujorin e katërt rezultoi 3.7%, duke u reduktuar me 0.2 p.p. për të dytin tremujor radhazi. Interesi i kredisë konsumatore, ndërkohë, ra me 0.3 pikë përqindjeje në këtë tremujor, duke zbritur në 8.5%.
E njëjta dukuri vërehet edhe për normat e interesit për kreditë në Euro. Lehtësimi i shpejtë i politikës monetare nga BQE-ja është reflektuar në normat referencë të monedhës Euro në tregun ndërkombëtar, duke diktuar rënie të interesave të kredisë në Euro në vend, pas muajit gusht.
Interesi mesatar i kredisë së re në Euro për bizneset shënoi 6.1% në tremujorin e katërt, nga 6.2% dhe 7.0% që ishte përkatësisht në tremujorin e tretë dhe në gjysmën e parë të vitit. Ndërkohë, interesi mesatar i kredisë hipotekare në Euro për individët, pas një reduktimi margjinal në tremujorin e mëparshëm, ka rënë në 4.9% në tremujorin e katërt. /ekofin.al
