Qeveria ka miratuar në mbledhjen e datës 12 shkurt ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në fshatin Sheq Marinas, në Bashkinë Fier.
Ndërtimi do të kryhet nga shoqëria “PROSOL”, sh.p.k.
Sipas të dhënave teknike kapaciteti i instaluar i centralit fotovoltaik do të jetë 21MW dhe afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi do të jetë 36 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Centrali do të operojë për një periudhë kohore 49 vjet dhe do të mbikëqyret me afate 3-mujore nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe AKBN, për të verifikuar ecurinë e punimeve, cilësinë, si dhe konformitetin në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
Vendimi ngarkon me detyrim shoqërinë që të të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik.
Gjithashtu, shoqëria duhet të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare si dhe të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “PROSOL”, sh.p.k., dhe ministrisë.
Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
Detyrim tjetër i shoqërisë është t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit. /ekofin.al
