Tashmë edhe honoraret do të përfshihen në grupin e listës së të ardhurave që realizohen në Shqipëri dhe që do të kategorizohen për t’u tatuar.
Udhëzimi i ministrit të Financave, botuar në Fletoren Zyrtare detajon terminologjinë dhe interpretimin e termit në fusha të ndryshme.
Në këtë kuptim, në fushën e biznesit dhe të drejtave të autorit honorari përfshin një shpërblim ose pagesë që një person, fizik apo juridik, merr për përdorimin nga të tretët të një prone intelektuale ose të së drejtës së autorit që i përket këtij personi fizik apo juridik. Kur pagesat bëhen për tjetërsimin e plotë të pronësisë të çdo elementi të përmendur në përkufizimin e termit “honorar”, atëherë nuk kemi të bëjmë me të drejta përdorimi dhe për rrjedhojë ato nuk mund të konsiderohen honorar.
Po kështu, në fushën e mjekësisë. Nëse një kompania farmaceutike prodhon dhe shet 1 milion vaksina dhe i paguan honorar laboratorit, p.sh. 5 euro për çdo vaksinë të shitur. Kjo pagesë karakterizohet si honorar. Pra, pagesa që përdoruesi i bën pronarit të patentës, markës tregtare etj., është honorar dhe jo blerja e mallit apo shërbimit nga konsumatori final, qoftë ky konsumator individ apo biznes.
Në fushën teknologjike, pagesat që do të bëhen për software. Ndërsa në fushë e transmetimeve televizive, “honorari” është një shpërblim ose pagesë që një person, kompani ose pronar i të drejtave përfiton për përdorimin e një programi televiziv, filmi apo përmbajtjes së ngjashme. Kjo pagesë mund të përfshijë të ardhura nga transmetimet televizive në rrjetet kabllore ose satelitore, platformat streaming ose licencat e tjera të përdorimit të përmbajtjes.
Udhëzimi ndryshon edhe aplikimin e normës së fitimit për të vetëpunësuarit. Nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave të fituara i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave të fituara nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto vjetore të tij (të ardhura të faturuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit), do të aplikohen normat e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (pas zbritjes së shumave sipas neneve 22 dhe 23 të ligjit). Më parë aplikoheshin normat e tatimit mbi pagën.
Individi i vetëpunësuar në deklaratën vjetore të biznesit do t’i deklarojë të ardhurat duke plotësuar rubrikën e të ardhurave nga punësimi dhe nuk plotëson rubrikën e të ardhurat nga biznesi. Rregulli sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky parashikim zbatohet pavarësisht nëse i vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar.
Në rastin kur personat fizikë ushtrojnë aktivitet fitimprurës (të regjistruar si të vetëpunësuar me apo pa punëmarrës) në ambjentet në pronësi të individit personit fizik, nuk do të jenë objekt vlerësimi për tatimin e qirasë, pasi personi fizik dhe individi pronar i pasurisë së paluajtshme kanë të njëjtin status.
Gjithashtu, nuk do të konsiderohet qiradhënie edhe në rast të ushtrimit të aktivitetit nga personi fizik i vetëpunësuar në ambientin e një personi të lidhur të familjes, me kushtin që të jetë pjesëtar në të njëjtën certifikatë familjare.
Udhëzimi parashikon gjithashtu se mikronjësitë ekonomike që realizojnë qarkullim më pak se 5 milionë lekë, nuk kanë detyrim për të mbajtur dhe raportuar pasqyrat financiare por mbajnë dokumentacion të thjeshtuar të aktivitetit të tyre tregtar, sipas afatit të parashikuar sipas ligjit. /ekofin.al
