Vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKUT) do të kërkojnë më shumë firma sesa në procedurën normale në raste të caktuara.
Qeveria ka realizuar një ndryshim në vendimin “Për përcaktimin e përbërjes së Këshillit Kombëtar të Territorit”, i cili është bërë publik pasi është botuar në fletore zyrtare.
Në pikën 5 të vendimit specifikohet se Sekretariati teknik i KKTU-së zbardh vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të cilat ua dërgon për nënshkrim Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit, dhe ministrit të linjës për zhvillimin e propozuar. “Vendimet nënshkruhen edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit(AZHT), në cilësinë e sekretarit të KKTU-së.
Vendimet, pasi nënshkruhen nga kryetari, ministri i linjës dhe sekretari i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, hyjnë në fuqi menjëherë” thuhet në pikën 5 të ndryshuar. Gjithashtu, në disa raste kur lejet që jepen bien nën fushën që lidhet me basenet ujore, është e nevojshme që vendimet të nënshkruhen edhe nga kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.
“Në rastin e zbardhjes së vendimeve, në zbatim të legjislacionit për burimet ujore, sekretariati teknik koordinon veprimet me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Vendimet për dhënie lejeje apo autorizimi, në zbatim të legjislacionit për burimet ujore, nënshkruhen edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Vendimet, pasi nënshkruhen nga kryetari, ministri i linjës dhe, kur është rasti, edhe nga sekretari i KKTU-së, hyjnë në fuqi menjëherë” thuhet në vendim.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është autoriteti kryesor për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit në Republikën e Shqipërisë, i drejtuar nga Kryeministri, me praninë e një sërë ministrash dhe AZHT si sekretariat.
