Konsumimi i rregullt i vezëve mund të lidhet me një rrezik më të ulët të vdekjeve të lidhura me sëmundjet kardiovaskulare tek të moshuarit, sipas një studimi të ri.
Studiuesit nga Universiteti Monash në Australi ndoqën mbi 8700 të rritur të moshës 70 vjeç e lart.
Ata që raportuan se konsumonin deri në gjashtë vezë në javë treguan një rrezik 29 për qind më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
Ndërsa ata që konsumonin nga një deri në gjashtë vezë në javë treguan një rrezik 15 për qind më të ulët të vdekjes nga çdo shkak, krahasuar me ata që hanin vezë dy herë në muaj ose më pak.
Ata gjithashtu treguan një rrezik 29 për qind më të ulët të vdekjes së lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, sipas rezultateve të publikuara në revistën “Nutrients”.
“Rezultatet tona sugjerojnë se ngrënia e deri në gjashtë vezë në javë mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga të gjitha shkaqet dhe sëmundjet kardiovaskulare (CVD) te të rriturit e moshuar,” tha në një deklaratë Holly Wild, një pedagoge në epidemiologji dhe mjekësi parandaluese në Universitetin Monash.
“Këto gjetje mund të jenë të dobishme në zhvillimin e udhëzimeve dietike të bazuara në prova për të rriturit e moshuar”.
Përfitimet e ngrënies së vezëve
Vezët janë një burim i proteinave dhe lëndëve ushqyese thelbësore, si vitaminat B, folati, acidet yndyrore të pangopura, vitaminat e tretshme në yndyrë (E, D, A dhe K), kolina dhe minerale të shumta, shtoi ajo.
Megjithatë, konsumimi i vezëve është konsideruar prej kohësh një shqetësim për njerëzit me kolesterol të lartë, një gjendje që mund të çojë në bllokimin e enëve të gjakut duke i bërë njerëzit më të prirur të kenë probleme me zemrën ose goditje në tru.
Prandaj, ekipi kreu kërkime të mëtejshme te njerëzit me kolesterol të lartë të diagnostikuar klinikisht, të quajtur dislipidemia.
“Ne gjetëm një rrezik 27 për qind më të ulët të vdekjes nga CVD për pjesëmarrësit me dislipidemi që konsumonin vezë çdo javë, krahasuar me homologët e tyre që konsumonin vezë rrallë ose kurrë, duke sugjeruar që në këtë grup studimi, prania e dislipidemisë nuk ndikon në rrezikun e lidhur me konsumin e vezëve,” tha Wild.
“Rezultatet tona sugjerojnë se ngrënia e deri në gjashtë vezë në javë mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga të gjitha shkaqet dhe sëmundjet kardiovaskulare te të moshuarit. Këto gjetje mund të jenë të dobishme në zhvillimin e udhëzimeve dietike të bazuara në prova për të rriturit e moshuar,” shtoi ajo.
Udhëzimet evropiane ndryshojnë nga vendi në vend, por një rishikim nga Shoqata Amerikane e Zemrës i publikuar në vitin 2020 arriti në përfundimin se individët e shëndetshëm mund të hanë shtatë vezë në javë në mënyrë të sigurt.
