Gjatë muajit janar, në Shqipëri kanë ardhur gjithsej 560 mijë vizitorë të huaj. Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, vërehet një rritje me 14,5% e numrit të vizitorëve ose gati 3 herë më shumë se 4 vite më parë.
Sipas Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, më shumë se gjysmë milioni vizitorë të huaj vetëm në muajin e parë të vitit, tregojnë se Shqipëria e ka lënë pas turizmin sezonal dhe ka konsoliduar një kapitull të ri në turizmin e qëndrueshëm ku po vizitohet nëpër bujtina, shtigje malore, ngjitje majash, qytete historike, muze e kështjella, ndërsa në katër vitet e ardhshme do të jetë kampione e Ballkanit në këtë industri.
Në 2024, Shqipëria përjetoi sezon shumë të mirë turistik, i cili duket se do të vazhdojë edhe gjatë 2025-ës. Vitin e shkuar, numri i vizitorëve të huaj arriti në 11.7 milionë, një rritje me 15.2% vlerësuar me vitin 2023.
