Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshimet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, duke përfshirë si subjekteve të kësaj rregulloreje, përveç bankave dhe institucioneve financiare jobanka edhe institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike. Rregullorja e cila parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 maji 2025 ka parashikime specifikime për promocionin dhe reklamimin e produkteve bankare dhe financiare, përmes një kreu të posaçëm “Marketingu dhe publiciteti i produkteve e shërbimeve për konsumatorët.”
Projektrregullorja ishte hedhur për konsultim publik që në shtator nga BSH, po hasi në rezistencën e tregut, kryesisht të bankave, sidomos për një parashikim të saj, ku u kërkohej bankave dhe institucioneve financiare që përpara botimit ose publikimit të çdo forme të reklamës apo materialet promocional duhet të njoftohet Banka e Shqipërisë, e cila e shqyrton materialin brenda 15 ditëve pune dhe nëse e gjykon të papërshtatshëm mund ta kthejë për rishikim. Gjatë kësaj periudhe, institucioni financiar nuk mund të ecë përpara me fushatën e planifikuar publicitare.
Ky ndryshim nuk u realizua në rregullore, pas objeksioneve të tregut, me argumentin se do të bllokonte tërësisht tregun e reklamave, pasi efektivisht do të ishte e pamundur për të kontrolluar çdo mesazh promocional, reklamë, të të gjithë aktorëve të sektorit financiar brenda 15 ditëve të punës.
Një pjesë e ndryshimeve të tjera, të cilat u miratua me rregulloren, që e disponon Ekofin.al kanë të bëjnë me kërkesat ndaj institucioneve financiare që në reklamat ose materialet promocionale për kreditë të përfshihet një paralajmërim i qartë dhe i dukshëm, me formulimin “Kujdes! Huamarrja e parave kushton para!”.
Gjithashtu, më tej, duhet specifikuar gjithçka në materialin promocional që nga emri i institucionit, adresa, kontaktet, norma e interesit, komisioni, tarifat, vlera totale e kredisë, kohëzgjatja e kredisë, vlerën e kësteve dhe shumën totale të pagueshme nga konsumatori, etj. Të njëjtat specifikime të detajuara duhet të realizohen edhe në rastin e fushatave publicitare që ndërmarrin bankat tregtare për depozitat, ose për çdo fushatë tjetër marketingu.
Gjithashtu, përmes një neni të posaçëm, Banka e Shqipërisë parashikon në rregullore rastet kur mund të ndërhyjë, duke i kërkuar institucioneve financiare ta tërheqin reklamën. Kështu, në reklama nuk mund të ketë shprehje si “rezultat i garantuar”, “banka më e mirë”, “kosto më e ulët”, “kosto zero”, “më e lartë/më e ulët/më e mira në treg”, “ne ju rimbursojmë”, “ne paguajmë për ju”, “ofertë” etj., ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për fitime/rezultate të sigurta apo për kosto të ulëta. Përjashtim nga ky rast, bëjnë vetëm rastet specifike, kur gjithçka shkruhet në reklamë, është e shpjeguar me tekst, me audio, me grafikë, ose me video se është vërtet ashtu siç thuhet.
Institucionet financiare duhet të ruajnë për të paktën 5 vite nga data e publikimit, një kopje të publicitetit/reklamës apo materialeve promocionale. Rregullorja e miratuar është shumë e detajuar, madje përcakton përmes një aneksi të veçantë edhe madhësinë e tekstit sipas llojit të materialit promocional. /ekofin.al
