Viti 2024 shënoi një tjetër vit rekordesh për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me 10.7 milionë pasagjerë që fluturuan përmes tij. Por cilat ishin destinacionet e preferuara të shqiptarëve në vitin që lamë pas?
Londra kryeson listën e destinacioneve me 838,073 pasagjerë, pasuar nga Bergamo, Itali me 697,727, pasagjerë.
Italia mbetet destinacioni më i frekuentuar për vitin 2024. Arsyeja lidhet sa me turizmin kulturor dhe bukuritë dhe mundësitë e argëtimit që ofron, por edhe për shkak të lidhjeve familjare të shqiptarëve që jetojnë aty. Qytetet kryesore si Roma, Bologna, Treviso, Milano dhe Bari, së bashku me Bergamon shënuan 2,940,596 pasagjerë.
Stambolli mbetet gjithashtu një destinacion i dashur për shqiptarët me 407,698 pasagjerë për gjithë vitin 2024.
Vitin e fundit Vjena dhe Brukseli treguan se janë një destinacion tërheqës dhe në rritje për shqiptarët me përkatësisht 395,013 dhe 348,534 pasagjerë.
10,7 milionë pasagjerë fluturuan nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përgjatë vitit 2024, ose 48% më shumë sesa në vitin 2023, duke e kurorëzuar atë si “mbretin” e rajonit për herë të parë në historinë e tij. Aq mbresëlënëse ishte rritja, sa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tejkaloi për herë të parë në vitin 2024 edhe Aeroportin Nikola Tesla të Beogradit, marrë në konsideratë këtu edhe faktin se popullsia e Serbisë (6.6 milionë banorë) është shumë më e lartë sesa ajo e Shqipërisë (2.7 milionë banorë). /ekofin.al

