Tregu i sigurimeve u rrit me 7% në vitin 2024, në ngadalësim, krahasuar me mesataren e viteve të fundit, ndikuar kryesisht nga impakti që ka dhënë zhvlerësimi i mëtejshëm i Euros. Kjo për shkak se një pjesë e primeve, kryesisht Kartoni Jeshil, por edhe sigurimi i pronës janë në monedhën evropiane.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat e tregut të sigurimeve për vitin e kaluar arritën në 24.5 miliardë lekë. Rritje shënuan edhe kontratat e sigurimit, që arritën në afro 1.6 milionë, ose 8.84% më shumë sesa viti 2023.
Gjatë vitit të kaluar, siguruesit kanë paguar një shifër rekord dëmësh, prej 8.65 miliardë lekë, ose 88 milionë Euro. Dëmet e paguar në vlerë u rritën ndjeshëm krahasuar me vitin 2023, ose rreth 24.4%. kjo rritje është edhe më e ndjeshëm në sigurimin motorik, ku janë paguar rreth 6.24 miliardë lekë dëme, ose 30.17% më shumë sesa në vitin 2023.
Sigurimi i detyrueshëm motorik pati një rritje konstante të primeve gjatë vitit 2024, duke arritur në mbi 15 miliardë lekë, ose 7.71% më shumë sesa vitin e kaluar. Sigurimi TPL, që ka edhe pjesën më të madhe në tregun e sigurimeve u rrit me 9.27% në vlerë primesh, por edhe në numër kontratash, me 9%.
Produktet e tjera të sigurimit të detyrueshëm motorik, Kartoni Jeshil në vitin 2024 pati një rritje prej 3.03% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 20.34% krahasuar me vitin 2023. Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2024, pati një ulje 9.47% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2023. Edhe numri i kontratave u ul me 9.31%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë viti 2024 arritën rreth 9,447 milionë lekë, 5.94% më shume se në vitin 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 5.24 % krahasuar me viti 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë vitit 2024, patën një rritje me 4.58% kundrejt vitit 2023.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë vitit 2024 siguruan mbi 3,908 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 66.82%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 21.83% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë vitit 2024, vihet re një rritje prej 4.33% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.04% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë vitit 2024, arritën në rreth 1,392 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.45% në krahasim me vitin 2023.
Rritje shënoi edhe tregu i sigurimit të Jetës, ku primet arritën në 2 miliardë lekë, ose 11.36 % më shumë se një vit më parë. /ekofin.al
