Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë, në kuadër të konsultimeve për Artikullin 4, ku nënvizon ndër të tjera se ekonomia e Shqipërisë ka performuar fuqishëm në vitet e fundit, e ndikuar edhe nga politikat e kujdesshme makroekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto është më lart se trendet e para-pandemisë, falë bumit të sektorit të turizmit. Politikat e kujdesshme fiskale dhanë kontribut në uljen e ndjeshme të borxhit publik, ndërkohë që politikat proaktive monetare, ulja e çmimeve në tregjet globale dhe mbivlerësimi i lekut kontribuan në mbajtjen e inflacionit nën kontroll.
Rritja në afatmesëm pritet të jetë e qëndrueshme. Pas rritjes prej 3.9% në vitin 2023, PBB-ja pritet të rritet mesatarisht me 3.5% në 2024-2029, ndikuar nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe ndërtimi. Rritja e parashikuar nga FMN për vitin 2024 ishte 2.6%, ndërsa projeksionet për këtë vit janë për një rritje prej 3.5%. Inflacioni në fund të vitit 2024 ishte rreth 2%, poshtë objektivit të BSH prej 3%.
Autoritetet pritet të tejkalojnë objektivat e buxhetit 2024. Të ardhurat kanë performuar mirë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shpenzimet kapitale të programuara. Borxhi publik në këtë kuadër pritet të jetë rreth 56% e PBB-së në fund të vitit 2024 dhe pritet të ulet më tej në rreth 50% në vitin 2029.
Sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet ndjeshëm mbi normat rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, përfshirja e bankave në kreditim dhe në borxhin e Qeverisë paraqet burim risku, ashtu sikundër edhe rritja e shpejtë e kreditimit të bankave në sektorin e ndërtimit, i cili është karakterizuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, konstaton FMN.
Megjithatë kuadrin e mirë makroekonomik, Shqipëria përballet me sfida të konsiderueshme strukturore. PPB-ja për banorë është sa ¼ e niveleve të SHBA apo EU-15, ndërsa vendi përballet me plakjen e shpejtë të popullsisë dhe emigrimin. Nevojiten reforma të gjithanshme, përfshirë forcimin e kuadrit qeverisës dhe atë të menaxhimit të financave publike, mbështetjen e kapitalit njerëzor dhe produktivitetit për të siguruar rritjen në afatgjatë dhe konvergjencën me vendet e tjera, apelon në raportin e saj FMN.
Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të FMN-së apelon se Shqipërisë i duhen reforma më të thella për të maksimizuar përfitimet nga procesi i anëtarësimit në BE. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të zhvilluar programet e edukimit dhe trajnimit, avancim në agjendën digjitale dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në punësim. Gjithashtu, ata apelojnë se nevojitet të vijohet me investimet në insfrastrukturë dhe në mirëqeverisje, duke përfshirë zbatimin e strategjisë anti-korrupsion 2024-2030 dhe zbatimin e mëtejshëm të standardeve ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. /ekofin.al
