Zhvillimi i investimeve strategjike është fusha ku qeveria synon të tërheqë investitorë potencialë vendas dhe të huaj. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka publikuar 6 sektorët kryesorë dhe kriteret e përzgjedhjes për aplikimet në investimet strategjike.
Investitorët mund të përfitojnë dy lloje statusi sipas vlerës së investimit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”; dhe “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”. Këtë të fundit e përfitojnë investimet mbi 50 milionë euro.
Në sektorin energjitik dhe minerar, si dhe në atë të transportit përfitojnë statusin me procedurë të asistuar investimet e barabarta ose me të më mëdha se 30 milionë euro, ndërsa për statusin e procedurës së veçantë investimet mbi 50 milionë euro.
Për sektorin e Turizmit, dhe Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, statusin e investimit strategjik me procedurë të asistuar e përfitojnë investimet e barabarbarta ose më të mëdha se 5 milionë euro; dhe për procedurën e veçantë mbi 50 milionë euro. Për Turizmin është kusht edhe krijimi i 80 vendeve të reja pune.
Si një prej sektorëve të rëndësishëm, investimet në Bujqësi dhe Peshkim përfitojnë statusin e investimit strategjik me procedurë të asistuar investimet e barabarbarta ose më të mëdha 3 milionë lekë dhe që krijojnë, minimalisht, 50 vende të reja pune. Statusin me procedurën e veçantë e përfitojnë investimet mbi 50 milionë euro.
Në sektorin e zonës me përparësi zhvillimi, investimet duhet të jenë të barabarta ose më të mëdha se 1 milion euro dhe 150 vende pune të reja, për statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”; dhe i barabartë ose më i madh se 10 milionë euro, dhe që krijon, minimalisht, 600 vende të reja pune, për statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë.
Aplikimet i drejtohen AIDA-s, së bashku me planin e biznesit dhe planin e investimit, si dhe me një analizë për ndikimin në mjedis, ekonomik dhe shoqëror.
Çfarë përfitojnë investimet strategjike sipas procedurave?
Për procedurën e asistuar përfitojnë: kryerjen e veprimeve përgatitore, përgatitje e dokumenteve dhe aplikim administrativ me procedurë të përshpejtuar nga agjenti asistues; trajtim me prioritet të përgatitjes së dokumentacionit, dhënies së mendimeve apo ndjekjen e procedurave, për përgatitjen dhe realizimin e investimit strategjik; konsolidimin e tokës; programe mbështetëse; mbështetje me infrastrukturë ndihmëse; vënie në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, sipas legjislacionit në fuqi
Për procedurën e veçantë: shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike; miratimin nga Kuvendi, kur vlerësohet nga Këshilli i Ministrave, të kontratave përkatëse të investimit strategjik, me kërkesë të investitorit strategjik për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike të rregulluar përmes tij dhe shtetit shqiptar.
Vlerësimi paraprak i potencialit strategjik realizohet nga Komiteti i Investimeve Strategjike brenda një afati 30-ditor./ekofin.al
