Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik disa ndryshime në ligjin “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura”.
Projektligji parashikon midis të tjerash se ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, si shpërblim për kontributin e dhënë, në momentin e ndërprerjes së shërbimit ushtarak, përfiton shpërblim financiar sipas pagës referuese të muajit të fundit të gradës që mban. Më konkretisht, ushtarakët /detarët, deri në 15 paga; nënoficerët, deri në 20 paga; dhe oficerët, deri në 25 paga. Masa e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, parashikohet që ushtaraku i dërguar për stërvitje, trajnim dhe kurse jashtë vendit, përveç trajtimit financiar të përcaktuar në akte të tjera ligjore, përfiton trajtim financiar ditor për mbulimin e shpenzimeve vetjake. Sipas relacionit shoqërues, kjo bëhet me qëllim paraqitjen dinjitoze të ushtarakëve shqiptarë jashtë vendit në raport me kolegët e tyre të vendeve anëtare të NATOS-s apo vendeve aleate.
Sa i përket kompensimit të veçantë të familjes së ushtarakut në rast të humbjes së jetës në mision ajo përcaktohet me vendim të këshillit të Ministrave, ndërsa projektligji ka saktësuar gjithashtu se fëmijëve të ushtarakëve të rënë në detyrë shteti u jep bursë të plotë në rast të fitimit të së drejtës për arsimin e lartë, vetëm në institucione arsimore publike.
Ndërsa lidhur me sigurimin e banesës, ligji aktual u siguron ushtarakëve aktivë të pastrehuar ose me sipërfaqe të vogël banimi, kredi për strehim nga Buxheti i Shtetit.
Tashmë, me propozimin e ri, ushtarakut aktiv që nuk ka banesë në pronësi në emër të tij dhe anëtarëve të familjes së tij sipas certifikatës familjare, përveç kredisë, i ofrohet edhe banesë në përdorim në objektet ekzistuese të përshtatura për strehim apo në objektet e reja të ndërtuara për qëllime strehimi nga Ministria e Mbrojtjes. Këto programe strehimi synojnë që të krijojnë objekte për strehim që do t’i jepen ushtarakut vetëm në përdorim, pa të drejtë privatizimi në favor të tyre.
Kriteret, procedurat për ndërtimin e objekteve për strehim apo përshtatjen e objekteve ekzistuese ushtarake, si dhe mënyra e përdorimit të tyre nga ushtarakët aktivë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, thuhet në projektligj./ekofin.al
