Prej ditësh, trafiku rrugor në Durrës ka arritur nivele kritike, veçanërisht gjatë orëve të pikut në mëngjes dhe pasdite. Për të disiplinuar qarkullimin, janë vendosur kufizime të reja orare për automjetet e tonazhit të rëndë dhe të vogël në rrugët kryesore të qytetit.
Kështu, duke nisur nga data 15 janar deri më 15 maj 2025, automjetet ATP (automjete për transport të përzier) nuk do të lejohen të qarkullojnë në fashat orare 07:00-09:00 dhe 16:00-18:00, nga e hëna në të premte.
Për mjetet e tonazhit të rëndë mbi 6.5 tonë, qarkullimi do të ndalohet plotësisht dhe do të kufizohet në një itinerar të përcaktuar nga bashkia.
Për të paralajmëruar drejtuesit, janë vendosur sinjale në të gjitha akset hyrëse dhe dalëse të qytetit. Rrugët e prekura nga ky kufizim përfshijnë:
-Rrugët “Adria”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia”, “Hysen Kërtusha”, “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri te Prefektura),
-Bulevardet “Epidamn”, “Egnatia”, “Taulantia”,
-Rrugët “Currilave”, “Mars 91”, “Dëshmorëve” dhe segmentet brenda unazës sipas hartës.
Në zbatim të këtij urdhri, subjektet tregtare duhet të respektojnë oraret dhe sinjalistikën për furnizimet e tyre. Përjashtime bëhen për automjetet e policisë, urgjencës, zjarrfikësve, transportit publik dhe disa institucioneve komunale.
