Sektori i prodhimit të verës dhe vreshtaria do të kenë një komision të posaçëm. Synimi i komisionit është rritja e standardit të prodhimit të Verës, sipas standardeve të BE, në funksion të rritjes së eksportit drejt vendeve të unionit.
Vendimi është marrë nga qeveria me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, kuadri i ri ligjor ka për qëllim përcaktimin e rregullave për funksionimin, organizimin, kohëzgjatjen dhe detyrat e Komisionit të Verës.
Gjithashtu vendimi saktëson procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Verës që bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi, por jo më shumë se një herë.
“Kërkesa për të qenë anëtar, si ekspert nga fusha akademike ose nga institucionet kërkimore-shkencore ose të pavarura, bëhet on-line në faqen zyrtare të internetit të ministrisë, në adresën zyrtare të publikuar”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Shkarkimi i anëtarit të Komisionit të Verës përpara mbarimit të mandatit bëhet me urdhër të ministrit.
Kryetari ka tagër të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit, brenda një periudhe më pak se shtatë ditë pune nga dita e mbledhjes së Komisionit të Verës. Kjo ndodh në raste kur: ndryshimet në specifikimet e produktit kërkojnë vlerësim të menjëhershëm për të mos penguar hedhjen në treg të produktit; nevojitet vlerësimi i komenteve për emërtime të regjistruara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; nevojitet, në çdo rast tjetër, një vlerësim i menjëhershëm i produktit.
Vendimi i Komisionit të Verës bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të ministrisë.
Kryetari, sekretariati dhe anëtarët e komisionit detyrohen të ruajnë konfidencialitetin e informacionit rreth kërkesave për regjistrim, kërkesave për ndryshimin e specifikimeve, vërejtjeve dhe kundërshtimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
