Nga Luçiana Sharra, Guidë Turistike e Certifikuar
Në zemër të Alpeve, rrethuar nga një bukuri e egër, e pazbutur, Thethi shtrihet krenar në veri të luginës së Shalës.
Majat e pamposhtura të Radohimës, Shenikut dhe Paplukut mbi 2500 m, i sigurojnë një mbrojtje të përsosur fushës së Thethit. Dikur njohur me këtë emër në Defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, numëronte vetëm 7 shtëpi, të gjitha të krishtera, ndërsa Shala 11 shtëpi. Edith Durham, në udhëtimin e saj historik, rreth vitit 1908, shkruante se Bajraku i Thethit përbëhej nga 180 shtëpi, nga të cilat 80 në Okol.
Tashmë, numri i vizitorëve të magjepsur pas fshatit të vogël e tejkalon numrin e banorëve të tij, që shpalosin mikpritjen në bujtinat alpine; një përvojë e paharrueshme.
Natyra e ashpër, shtëpi e disa prej kafshëve më të egra të malit, kullat karakteristike alpine, rrugët e fshatit me gurë e hera – herës me baltë, zhurma e ujit dhe ajri i ftohtë të zgjojnë shqisat drejt një udhëtimi prapa në kohë.
Në mes të fshatit, ngrihet kisha e ndërtuar në vitin 1892, me një çati me qepër dhe një kullë për këmbanën. Këtu, famulltari i parë, At’ Shtjefën Gjeçovi, krahas meshës dhe kujdesit shpirtëror, mësonte fëmijët e fshatit, traditë që e ndoqën edhe priftërinjtë e tjerë më vonë.
Pak më tutje ngrihet kulla e ngujimit apo “kulla e pajtimit”, gurët e së cilës, në katër shekuj, kanë bashkëjetuar me brezat në të mirë e në të keq. Kjo kullë i përket familjes Koçeku dhe Sokoli u tregon të gjithë vizitorëve historinë e saj. Burrat në konflikt gjakmarrjeje kishin të drejtën të qëndronin brenda saj deri në pesëmbëdhjetë ditë. Familja e kullës siguronte për ta krahas strehimit edhe ushqimin, që nuk paguhej me para, sepse, siç shpjegon edhe Sokoli, Kanuni thotë “burrni e para nuk shkojnë bashkë”. Pleqtë e urtë e burra të besës mblidheshin në kullë për të shuar gjakrat; dhe në shumicën e rasteve e mira e mundtte të keqen.
Ndër mënyrat më të zakonshme të pajtimit ishte me një foshnjë mashkull, trashëgimtari i familjes, që lidhej në djep dhe më pas djepi kthehej me fytyrë poshtë. A nuk vdes fëmija? – pyesin kureshtarët. Fëmija vdes nëse do të lihej gjatë, por pleqtë që janë aty, kanë ardhur për të arritur pajtimin, jo vdekjen. Për dy – tre sekonda e linin djepin përmbys dhe atëherë vëllai apo babai i viktimës, për hir të fëmijës, e kthente djepin në vend dhe në këtë mënyrë falej gjaku.
Në kujtimet e saj, Edith Durham ose “krajlica – mbreterësha”, siç e thërrisnin banorët e Thethit – me mendimin se ajo ishte motra e mbretit të Anglisë – shënonte se fakti që në Theth pothuajse s’ka gjakmarrje, është edhe falë ndikimit që kishte aty një françeskan i ri. Në pak më shumë se katër vjet kishte pasur vetëm dy raste gjakmarrjeje.
Madhështia e natyrës shpaloset në disa shtigje, ku më piktoresku dhe më sfiduesi është kalimi Theth – Valbonë, ndërsa më të dashurit dhe të arritshëm brenda dy-tre orëve, Syri i Kaltër përmes vaskave natyrore të Ndërlysës dhe Ujëvara e Grunasit. Një çlodhje mendore dhe mbushulli shpirtërore.
Thethi është rrëmbyesi i zemrave të eksploruesve të huaj, që mahniten me të në çdo stinë, megjithatë askush më shumë se albanologu kanadezo – gjerman Robert Elsie. Pasi ia bëri botës të njohur Shqipërinë dhe besën e këtyre maleve, la si amanet të prehej në Theth. Burrat e Thethit e vajtuan si të ishte një malësor dhe e prehën në tokën e tyre.
Vështrimi lart të rrok majat e thepisura, të mbuluara me mjegull, që duken sikur mbështjellin fshatin, ashtu si malësorët djepin; dhe teksa përhumbesh në horizont, në mendje ngjallet një kureshtje e fortë: ashpërsia e këtyre maleve ka gdhëndur karakterin e burrave të këtij Bajraku, apo forca e tyre i bën këto male të qëndrojnë? Sido të jetë, diçka është e sigurt: malësorët dhe thepat mprehin njëri – tjetrin. /ekofin.al