Hendeku i mbrojtjes nga katastrofat natyrore (NatCat) në Europë mbetet rreth 65% – pra, afro dy të tretat e humbjeve ekonomike nga përmbytjet, tërmetet, zjarret apo stuhitë mbeten të pasiguruara. Në këtë kontekst, dokumenti i Reinsurance Advisory Board (RAB) pranë Insurance Europe, me titull “Closing the gap, not the market”, ofron një tezë të qartë: zgjidhja nuk është zëvendësimi i tregut me skema publike, por forcimi i tij përmes rritjes së kërkesës dhe respektimit të sinjaleve të çmimeve të bazuara në risk.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Edhe pse dokumenti fokusohet në BE, mesazhi është i drejtpërdrejtë për vende si Shqipëria, ku ekspozimi ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve është i lartë, ndërsa penetrimi i sigurimit të banesave mbetet i kufizuar.
Debati aktual për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet duhet të balancojë tri elemente: përballueshmërinë sociale, ruajtjen e sinjaleve të riskut, si dhe forcimin e tregut privat dhe risigurimit ndërkombëtar, thekson Insurance Europe.
Nëse politika publike fokusohet vetëm tek debati i primit të sigurimit, pa adresuar planifikimin urban, kodet e ndërtimit dhe ndërgjegjësimin për riskun, hendeku i mbrojtjes mund të zhvendoset në kohë, por jo të mbyllet.
Mesazhi thelbësor i “Closing the gap, not the market” thekson: hendeku i mbrojtjes nuk mbyllet duke mbyllur tregun, por duke e bërë atë më funksional, më transparent dhe më të bazuar në risk.
Humbjet po rriten, por hendeku mbetet i lartë
Sipas analizës, humbjet ekonomike globale nga katastrofat natyrore janë rritur me 250% në krahasim me dekadat e mëparshme, si pasojë e rritjes së ekspozimit urban, inflacionit të kostove të rindërtimit dhe intensifikimit të fenomeneve klimatike. Megjithatë, në BE27 hendeku i mbrojtjes ka mbetur relativisht konstant, rreth 65% në periudhën 2015–2024.
Kjo do të thotë se rritja e humbjeve nuk është shoqëruar me një rritje proporcionale të penetrimit të sigurimeve. Në disa ekonomi të mëdha të BE-së, hendeku varion nga 45% në Austri apo Irlandë, deri në 80% në Itali dhe Poloni, ndërsa në Greqi arrin rreth 90%.
Problemi kryesor: kërkesa, jo oferta
Një nga argumentet qendrore të dokumentit është se tregu privat i risigurimit ka kapacitet të mjaftueshëm për të mbuluar riskun NatCat. Kapitali i dedikuar për risigurim është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, duke reflektuar aftësinë e sektorit për të absorbuar goditje të mëdha.
Në të kundërt, hendeku i mbrojtjes shpjegohet kryesisht nga faktorë të kërkesës si nivel i ulët i ndërgjegjësimit për riskun,paragjykim optimist (“nuk do të më ndodhë mua”), pritshmëri për ndërhyrje shtetërore pas fatkeqësive apo nënsigurim (vlerësim i vjetëruar i pasurisë).
Edhe çmimet, sipas dokumentit, nuk rezultojnë pengesë sistemike: primet e sigurimit të banesave në Europë luhaten mes 0.3% dhe 0.6% të të ardhurave të disponueshme. Kjo e zhvendos debatin nga “a është i përballueshëm sigurimi?” tek “pse nuk blihet sigurimi?”.
Skemat publike: zgjidhje e shpejtë, risk afatgjatë
RAB shpreh rezervë ndaj propozimeve për skema publike që synojnë rritjen e kapaciteteve nga ana e ofertës. Argumenti është se këto skema mund të shtrembërojnë sinjalet e çmimeve nëse ofrojnë prime të subvencionuara ose krijojnë rrezik moral (sjellje më pak e kujdesshme nga individët dhe kompanitë), ose rrezikojnë të “dëbojnë” tregun privat, duke reduktuar inovacionin dhe konkurrencën.
Nëse çmimi nuk reflekton riskun real, investimet në masa parandaluese, si kodet e ndërtimit, menaxhimi i zonave me rrezik përmbytjeje apo zhvendosja nga zonat e ekspozuara, dobësohen.
Rekomandimet për politikëbërësit
Dokumenti përmbyllet me pesë rekomandime kryesore: Së pari, të garantohet lidershipi i tregut privat; Së dyti, të rritet penetrimi i sigurimeve për rreziqet natyrore. Së treti, të lehtësohet aksesimi i risigurimit global (tregje të hapura, rregullim i bazuar në risk, modele të brendshme). Së katërti, të promovohet rindërtimi “më mirë” ose zhvendosja nga zonat me risk të lartë. Së fundmi, të ruhet çmimi i bazuar në risk si themel i qëndrueshmërisë. Rekomandimet e Insurance Europe vijnë në kohën kur qeveria ka nxjerrë në konsultim, por ende nuk ka miratuar një draft për sigurimin nga tërmetet dhe përmbytjet, që parashikon ngritjen e një fondi kombëtar për tërmetet e përmbytjet që do të menaxhojë primet e sigurimit që do të mblidhen nga qytetarët. /ekofin.al
Dokumenti i publikuar nga Insurance Europe

