Kontrollet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në procedurat e prokurimit të ndërmarra nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike e Bashkisë Vlorë kanë nxjerrë në pah një sërë shkeljesh të legjislacionit të prokurimit publik, duke çuar Agjencinë e Prokurimit Publik në propozimin e masave disiplinore dhe administrative ndaj dhjetëra zyrtarëve.
Sipas vendimit të publikuar nga APP më 22 qershor 2026, të cilin e disponon ekofin.al, verifikimi është kryer mbi indiciet e referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ka përfshirë 64 procedura prokurimi të zhvilluara nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Vlorë. Nga këto, 18 kanë qenë procedura të hapura, 17 procedura të hapura të thjeshtuara dhe 29 procedura me vlerë të vogël.
Auditimi ka përfshirë 44 kontrata furnizimi, 17 kontrata punësh dhe 3 kontrata shërbimesh.
Sipas konstatimeve të APP-së, autoriteti kontraktor nuk ka respektuar një sërë dispozitash të ligjit “Për prokurimin publik”. Shkeljet lidhen fillimisht me përllogaritjen e fondit limit, ku është konstatuar se procedurat e audituara nuk janë zhvilluar në përputhje me kërkesat e nenit 34 të ligjit. Gjithashtu, janë evidentuar probleme në hartimin dhe argumentimin e specifikimeve teknike, në kundërshtim me nenin 36 të ligjit për prokurimin publik.
Gjithashtu, auditimi ka gjetur shkelje në kriteret e veçanta të kualifikimit. APP vlerëson se autoriteti kontraktor nuk ka vepruar në përputhje me nenet 77 dhe 78 të ligjit, si dhe me rregullat e miratuara nga Këshilli i Ministrave për procedurat e prokurimit publik, duke konstatuar mangësi në hartimin dhe argumentimin e këtyre kritereve.
Përllogaritja e gabuar e fondit lë hapësirë për abuzime me shpërdorimin e buxhetit të shtetit, ndërsa hartimi i specifikimeve teknike dhe kritereve të veçanta të kualifikimit në mënyrë kufizuese apo që nuk i përgjigjen nevojës reale, mund të përbëjnë shkak për eliminimin artificial të operatorëve ekonomikë. E thënë më thjesht, disa lloje kërkesash në tendera, mund të favorizojnë operatorë të caktuar ekonomikë, që bie ndesh me parimin e barazisë në tendera dhe konkurrueshmërisë.
Po ashtu, janë gjetur shkelje edhe në procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tendera.
Në përfundim të shqyrtimit, Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur t’i propozojë autoritetit kontraktor marrjen e masave disiplinore ndaj 7 personave, ndërsa për 38 persona të tjerë ka propozuar vendosjen e gjobave administrative, duke argumentuar se përgjegjësia e tyre për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara është evidentuar gjatë procesit të verifikimit.
Rasti përbën një nga ndërhyrjet më të gjera të APP-së në bazë të gjetjeve të KLSH-së gjatë vitit 2026 dhe rikthen në vëmendje problematikat që vijojnë të shoqërojnë procedurat e prokurimit publik në nivel vendor, veçanërisht në aspektin e përgatitjes së dokumentacionit, specifikimeve teknike dhe vlerësimit të ofertave. /ekofin.al

Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

