Ndërkohë që Brukseli zyrtar ka vendosur si kusht thelbësor për integrimin e Shqipërinë në Bashkimi Europian rritjen e transparencës dhe luftë të vendosur kundër korrupsionit në çështjen e pronave, Agjecia Shtetërore e Kadastrës, gjatë dy viteve të fundit që drejtohet nga Lorena Goxhobelli, është shndërruar në një institucion-bunker.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, gjatë një raportimi të zhvilluar këtë të hënë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, kërkoi ndërhyrjen urgjente të Kuvendit të Shqipërisë që të krijojë aksesin për të kryer kontroll pranë Agjencisë së Kadastrës.
Ai deklaroi se “KLSH nuk ka asnjë lloj aksesi me ASHK dhe nuk mund të shtrohet aspak për diskutim marrëdhëniet ndërinstitucionale”.
Duke rikujtuar se “regjistrimi i pronave duhet të ketë transparencë të plotë dhe çdo qytetari duhet t’i vihet në dispozicion çdo informacion i detajuar”, Shehu theksoi se “nuk kemi arritur të marrim akses as minimal në të dhënat e këtij institucioni”.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit kërkoi sërish ndërhyrjen e Parlamentit për të sjellë situatën në shinat e normalitetit, pasi prej gati dy vitesh Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bllokuar çdo lloj komunikimi dhe bashkëpunimi me institucionin më të lartë kushtetues të Auditimit në Shqipëri.
“Problematika e pronës në Shqipëri ka një rëndësi thelbësore dhe KLSH-ja ka kryer të gjitha veprimet për procese audituese të plota, por është hasur në këtë lloj pengese prej një kohe të gjatë. Do të ishte e vlefshme qe të na mbështesni në realizimin e këtyre proceseve”, iu drejtua Arben Shehu deputetëve të të gjithë kaheve politike në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Sipas tij, institucionet duhet të jenë të ndërgjegjshme, pasi gjithsecili ka detyrimin të bashkëpunojë me institucionet, duke mbajtur në konsideratë që qëllimi i punës është shërbimi ndaj shoqërisë dhe qytetarëve.
Kreu i KLSH-së deklaroi në seancën dëgjimore se janë bërë disa kallëzime për çështjet që lidhen me Agjencinë e Kadastrës. Megjithatë, për Shehun, zgjidhja duhet të jetë shumë e gjerë se sa rastet penale.
“E theksoj dhe njëherë rëndësinë thelbësore që ka monitorimi i punës në drejtimin e regjistrimeve, duke filluar nga prona shtetërore, e cila nëse mbetet e paregjistruar është në një nivel risku shumë të lartë. Por edhe prona private të secilit nga qytetarët, konform detyrimeve ligjore duhet të kenë procese të rregullta të regjistrimit, dhe qytetarët të kenë akses dhe informacion se çfarë bëhet me pronat private”, deklaroi kryekontrollori shtetëror, Shehu.
Ai deklaroi gjithashtu se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka të gjithë kapacitetet për të kryer auditimet në kohën e duhur dhe për të dhënë rekomandimet apo masat e nevojshme.
Situata bllokuese, sipas asaj që u diskutua në Komisionin e Ekonomisë, po zhvillohet prej mëse dy vjetësh, periudhë kohore që përkon me drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga Lorena Goxhobelli.
Së fundi, edhe në rezolutën dhe raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë (të njohur si raporti IBAR), çështja e pronave adresohet me kritika dhe kërkesa për ndërhyrje të menjëhershme. Dokumenti kërkon adresimin e abuzimeve në zonat bregdetare dhe ato me minoritete, duke theksuar nevojën për një kompensim të drejtë në rastet e shpronësimeve./Boldnews

