Nga Mirilda Tili
“Ylli” u prezantua këtë javë në aktivitetin “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030 , si pjesë e strategjisë së Bujqësisë Inteligjente, si asistenti i parë virtual i fermerit shqiptar.
Përmes tij, fermerët do të mund të komunikojnë në gjuhën shqipe dhe të marrin përgjigje të menjëhershme për pyetjet e tyre, direkt nga telefoni celular.
Një nga elementët që ka ngjallur më shumë interes është premtimi për publikimin online dhe në kohë reale të çmimeve në pikat e grumbullimit dhe tregjet bujqësore, një problematikë që prej vitesh është ngritur nga vetë fermerët për mungesën e transparencës në formimin e çmimeve.
Megjithatë, jo të gjithë e shohin projektin si revolucionin që po prezantohet.
Për Ekofin.al, përfaqësuesi i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, Eduart Sharka, vlerëson se platforma mund të sjellë disa lehtësime administrative, por shpreh rezerva ndaj mënyrës se si po paraqitet.
“Ta quash revolucion digjital në bujqësi më duket një shprehje e ekzagjeruar. Në thelb, platforma sjell disa shërbime që lidhen me aplikimet elektronike për skemat kombëtare, një proces që aktualisht kryhet nga zyrat agro, të cilat kushtojnë miliona euro në vit”, thotë Sharka.
Sipas tij, nëse portali arrin të kryejë realisht funksionet që sot mbulohen nga administrata në terren, atëherë logjikisht duhet të shoqërohet edhe me reduktim të kostove administrative.
Rezervat e tij lidhen edhe me këshillimin agronomik të bazuar në Inteligjencën Artificiale. Sharka argumenton se në vendet europiane shërbimi i këshillimit agronomik lidhet me përgjegjësi profesionale dhe certifikim të produkteve, ndërsa në rastin e një asistenti virtual ekziston rreziku i shpërndarjes së përgjegjësisë.
“Nëse fermeri merr një këshillë nga platforma dhe e zbaton atë, kush mban përgjegjësi në rast se ka probleme me sigurinë ushqimore? Kjo mbetet një pikë që kërkon sqarim”, shprehet ai.
Megjithatë, Sharka veçon si potencialisht shumë të dobishëm komponentin e transparencës së tregut.
“Nëse platforma arrin që fermerët të shohin në kohë reale çmimet e pikave të grumbullimit, atëherë do të ishte një shërbim me vlerë të madhe për sektorin. Transparenca e çmimeve është një nga nevojat më të mëdha të fermerëve shqiptarë”, thekson ai.
Nga ana tjetër, përfaqësues të sektorit e shohin iniciativën me më shumë optimizëm.
Themeluesi dhe anëtari i kryesisë së Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit, Elton Ndini, shprehet për Ekofin.al se vlerësimi përfundimtar do të vijë pasi platforma të vihet realisht në përdorim, por sinjalet e para i konsideron pozitive.
“Do të flasim më shumë kur ta përdorim në praktikë, por e shoh si një gjë shumë pozitive që me kalimin e kohës mund t’u japë fermerëve gjithnjë e më shumë informacion të dobishëm për mbarëvajtjen e punës së tyre”, shprehet Ndini.
Ai beson se teknologjia po bëhet gjithnjë e më e pranueshme për fermerët, pasi u kursen kohë dhe i ndihmon në menaxhimin e aktivitetit të përditshëm.
Madje, Ndini sugjeron që platforma të përshtatet edhe vizualisht me realitetin shqiptar, në mënyrë që të krijojë një lidhje më të afërt me përdoruesit.
Sipas tij, asistenti virtual do të ishte më familjar për fermerët nëse do të paraqitej me elementë karakteristikë të bujqësisë shqiptare, si veshje tradicionale fermeri apo simbole të njohura të zonave prodhuese.
Pavarësisht debateve, një gjë duket e qartë: Ministria e Bujqësisë po tenton të sjellë në sektorin bujqësor të njëjtin model digjitalizimi që nisi me “Diellën” në administratë. Pyetja që mbetet është nëse “Ylli” do të mbetet një vitrinë teknologjike apo do të kthehet në një mjet konkret që ndihmon fermerët të prodhojnë më shumë, të shesin më mirë dhe të marrin vendime më të informuara.
Përgjigjja, siç pranojnë edhe vetë përfaqësuesit e sektorit, do të jepet vetëm kur platforma të dalë nga prezantimet dhe të përballet me realitetin e fermës shqiptare. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

