Brenda pak javësh, Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin e tretë që lidhet me përafrimin e legjislacionit fiskal shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Pas projektligjeve që transpozojnë rregullat për tatimin minimal global dhe direktivën GloBE, qeveria ka publikuar edhe projektligjin “Për Deklaratën Informative të Tatimit Shtesë dhe shkëmbimin automatik të saj”, i cili transpozon Direktivën (BE) 2025/872 (DAC9).
Paketa e tre projektligjeve përbën një nga reformat më të rëndësishme në fushën e tatimeve, pasi synon të përgatisë administratën tatimore shqiptare për funksionimin sipas rregullave të Bashkimit Evropian dhe të krijojë mekanizmat e nevojshëm për luftën kundër shmangies së tatimeve nga grupet shumëkombëshe.
Risia: Shqipëria hyn në rrjetin evropian të shkëmbimit automatik të të dhënave
Ndryshe nga ligji për tatimin minimal global, i cili përcakton mënyrën e llogaritjes së tatimit shtesë, projektligji i ri krijon mekanizmin praktik të raportimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet administratave tatimore.
Ai vendos për herë të parë bazën ligjore që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të shkëmbejë automatikisht me administratat tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian Deklaratën Informative të Tatimit Shtesë (TTIR), dokumenti që përmban të gjitha të dhënat mbi zbatimin e tatimit minimal global për grupet shumëkombëshe.
Në këtë mënyrë, Shqipëria synon të bëhet pjesë e sistemit evropian të shkëmbimit të informacionit tatimor, duke rritur transparencën dhe duke kufizuar mundësinë që korporatat e mëdha të transferojnë fitimet drejt vendeve me taksim më të favorshëm.
Pse ishte i nevojshëm ky projektligj?
Direktiva DAC9 është hallka që mungonte pas miratimit të rregullave për tatimin minimal global.
Pa këtë kuadër procedural, administratat tatimore nuk do të kishin mundësi të shkëmbenin automatikisht informacion mbi grupet shumëkombëshe që operojnë në disa juridiksione.
Projektligji përcakton mënyrën e depozitimit, korrigjimit, administrimit dhe shkëmbimit të Deklaratës Informative të Tatimit Shtesë, duke krijuar një standard të unifikuar raportimi në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Nuk prek bizneset e vogla
Detyrimet e reja nuk zbatohen për të gjitha bizneset.
Projektligji prek vetëm grupet shumëkombëshe, grupet e mëdha vendase që përfshihen në regjimin e tatimit minimal global si dhe entitetet raportuese dhe entitetet mëmë të këtyre grupeve.
Për bizneset e vogla dhe të mesme nuk krijohen detyrime shtesë raportimi.
Raportim elektronik dhe më pak burokraci
Deklaratat do të depozitohen vetëm në mënyrë elektronike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Një risi tjetër është shmangia e raportimit të dyfishtë. Nëse Shqipëria e merr deklaratën automatikisht nga një administratë tatimore e një vendi tjetër përmes mekanizmit të shkëmbimit të informacionit, kompania nuk do të ketë detyrimin ta depozitojë sërish në Shqipëri.
Tatimet marrin kompetenca më të gjera
Projektligji zgjeron kompetencat e administratës tatimore për të kontrolluar saktësinë e deklarimeve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ketë të drejtë të kërkojë dokumentacion mbështetës, pasqyra financiare të konsoliduara, prova mbi klasifikimin e entiteteve dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për të verifikuar deklarimet. Në rast pasaktësish, administrata mund të kërkojë korrigjimin e deklaratës dhe të bashkëpunojë me autoritetet tatimore të vendeve të tjera.
Zbatimi nis vetëm pas anëtarësimit në BE
Edhe pse projektligji pritet të miratohet më herët, dispozitat e tij nuk do të zbatohen menjëherë.
Raportimi i parë do të lidhet me vitin fiskal që fillon pas datës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa shkëmbimi i parë automatik i informacionit nuk mund të kryhet përpara hyrjes së vendit në BE.

